Dy javëshi i parë i Censit 2023 në vendin tonë ka ecur sipas pritshmërive, ku deri më tani është kryer në 42% të banesave. Lajmin e dha në studion e “Debatit” në A2 CNN drejtoresha e INSTAT-it Elsa Dhuli, sipas të cilës ky proces është shtrirë njëkohësisht në të 12 qarqet e vendit dhe në terren janë të gjitha grupet sipas zonave:
“Janë 5240 zona dhe po kaq anketues në terren janë 20 zona të lëvizshme që janë në proces të plotësimit. Procesi është dinamik, monitorohet çdo ditë. Deri tani është trokitur në 42% të banesa. Jemi me ecuri të mirë brenda pritshmërive anketuesit po realizojnë një normë ditore 5-6 intervista në ditë. Janë mirëpritur deri tani nga qytetarët. Ka një reagim të kënaqshëm nga qytetarët. Procesi zhvillohet paralelisht në të 12 qarqet në të gjithë vendin. Anketuesi e organizon ditën e tij sipas mënyrës së tij, Anketuesit po kryejnë nga 5-6 banesa”.
E pyetur nëse ka patur raste refuzimi, ajo tha se nuk kanë qenë refuzime të plota për shkak të kohës së përshtatshme për qytetarët. Dhuli renditi edhe vështirësitë që hasin anketuesit:
“Mbase nga koha kur intervistuesi ka trokitur në derë nuk ka qenë koha e volitshme për qytetarët kanë refuzuar dhe kërkuar një vizitë të dytë. Raste që ne nuk i kemi quajtur refuzime të plota. Kemi numrin jeshil në dispozicion për problematikat dhe informacion shtesë dhe një numër telefonatash që kërkojnë t’i intervistojnë”.
Dhuli renditi edhe vështirësitë që hasin anketuesit që janë: “Mënyra e orientimit me hartë se kanë hartë digjitale që duhet të orientohen sipas metodologjisë së caktuar për të cilën janë trajnuar. Një vështirësi tjetër është gjetja e familjarëve në familje që lënë notën shënuese poshtë derës. Anketuesit tanë janë trajnuar që të kryejnë 3 vizita dhe jo brenda një jave por të shtrira në kohë në ditë të ndryshme. Kemi pasur shume raste kur familjarët kanë telefonuar në numrin e lënë shënim anketuesit dhe kanë caktuar orën e datën kur gjenden në familje”.
Anketuesit kanë një orar nga 8 e mëngjesit deri në 8 të darkës. Në rastet kur qytetari kërkon të intervistohet pas orës 8: 00, Dhuli tha se dhe “bien në dakord mes palëve për të gjetur kohën më të përshtatshme”.
Sipas saj qytetarët e kanë mirëpritur procesin dhe nuk kanë patur vështirësi për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve.