Ndërtuesit kërkojnë që të rishikohet taksa e strehimit social prej 3 % si dhe rishikimin e VKM për rritjen e çmimit të referencës në masën 40%. Por kjo ka hasur në kundërshtimin kategorik të kryeministrit Rama.
Në emër të ndërtuesve foli Erjon Harizi nga Shoqata e Ndertuesve te Shqiperise.
Debati i plotë mes ndërtuesit dhe kryeministrit Rama në takimin e mbajtur sot paradite me përfaqësuesit e sipërmarrjeve mbi nismën e re për rishikimin tërësor të procedurave administrative të biznesit.
Ndërtuesi, Erjon Harizi: Rritja e çmimit të referencës në masën 40% që jep pasoja në taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe zinxhirin e taksave të bashkië së Tiranës ka rritur taksën e ndërtimit në 40% të kostos vetë në qytetin e Tiranës.
Nuk mund të bëhen ndërhyrje të tjera në mesin e vitit fiskal se nuk është llogaritur. VKM e këtij viti na ka kapur të papërgatitur dhe pothuajse e kemi të pamundur të mbarojmë biznesplanin tonë”
Jemi të penalizuar sa i takon kontributit 3% që vetëm ndërtuesi i Tiranës e paguan në Shqipëri. Deri në 2022 ka paguar nga biznesi 100 mln euro për të pastrehët. Kjo taksë që ka qenë e përkohshme duhet të shfuqizohet, nuk mund të jetë kjo taksë e pafund dhe të rëndojë vetëm në sektorin e ndërtimit.
Edi Rama: Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do ju thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin, këtë nuk kishit parashikuar?! Kishit përgatitur një plan biznesi që do të gënjenit shtetin pa mbarim, dhe do të shisnit apartamente me 2 mijë euro dhe do i deklaronit të shitura me 850 euro? Këtë nuk e kishit parashikuar? Në plan biznesi e kishit edhe evazionin?
Nuk kishit parashikuar që shteti do të vinte momenti e të thoshte STOP! Ju ndërtoni bëni shumë mirë që e bëni por paralelisht bashkitë duhet të ndërtojnë infrastrukturën, rindërtojnë të gjithë hapësirat rreth e rrotull që nuk merrni përsipër të bëni gjë duke nisur nga Tirana. Që ju të shisni apartamente me 2 mijë – 3 mijë – 4mijë – 5 mijë euro, të shisni hapësira biznesi me 6 mijë euro – 7 – 8 mijë euro e të deklaroni atje çmime që janë larg së vërtetës nuk mund të vazhdojë. Çmimet e referencës, nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, por në bazë të tregut.
Nuk është e vështirë të marrësh vesh sa shitet një metër katror tek blloku dhe tek liqeni. Është bërë një studim i thjeshtë i tregut, janë marrë çmimet reale dhe ju është vënë detyrimi që ju duhet të përgjigjeni. Çfarë nuk keni parashikuar?! Sa doni të fitoni në këtë histori?! Është e drejta juaj të fitoni sa më shumë. Kini parasysh se nuk e dëgjojmë më fare. Nuk është akoma maksimumi që duhej të vendosur. Është bërë një kohë e gjatë që është qëndruar në çmime të vjetra ndërkohë që çmimet rriten çdo javë.Është rritje që do të përfitojnë të gjithëm jo vetëm ju.
Të duket shumë kontributi social 3% për çdo ndërtim?! E ke gabim. Në Neë York nuk ndërton dot një godinë ku të shesësh të gjithë apartamentet se nuk të lë. Të thotë kaq do shesësh dhe kaq përqind do të japësh me qera. Të detyron dhe sa duhet të lësh me qera.