Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u prit në një takim shumë të rëndësishëm nga Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Ambasadori Todd Robinson, i cili njëkohësisht drejton Zyrën Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
Në fillim të takimit, Ambasadori Robinson u shpreh se ndihej i lumtur që priste një partner të besueshëm nga institucionet shqiptare të zbatimit të ligjit, me të cilat kanë të njëjtat interesa dhe ndajnë të njëjtat qëllime, përfshirë këtu integrimin e Shqipërisë në BE. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pasi shprehu mirënjohjen për Ambasadorin Robinson, për mundësimin e këtij takimi, të cilin e konsideroi shenjë vlerësimi dhe respekti, e informoi atë për zhvillimet e viteve të fundit, rezultatet e reformave, si në drejtësi ashtu edhe në agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, siç është Policia e Shtetit, reforma të cilat janë mundësuar me mbështetjen e vyer të qeverisë së SHBA-së.
Drejtori i Përgjithshëm nënvizoi operacionet e suksesshme të Policisë së Shtetit, të realizuara në bashkëpunim dhe me mbështetjen e SPAK-ut dhe të Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, që kanë mundësuar goditjen e grupeve kriminale të trafikimit dhe shpërndarjes se lëndëve narkotike, në mënyrë konsistente, me tolerancë zero ndaj çdo aktiviteti kriminal që zhvillohet, qoftë në Shqipëri apo jashtë kufijve të saj. Gjatë takimit, Drejtori i Përgjithshëm e informoi Ambasadorin Robinson, se pas sulmit kibernetik të shtatorit të 2022, të gjitha sistemet e Policisë së Shtetit tashmë janë ringritur dhe operojnë me kapacitet të plotë. Drejtori i Përgjithshëm theksoi se lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e administratës, përfshirë këtu pastrimin e radhëve të Policisë, nga oficerë të kompromentuar, përben një prioritet po aq të rëndësishëm. Këtu ai nënvizoi bashkëpunimin mjaft të mirë me SPAK-un, duke u shprehur se tashmë janë në hetim disa raste të korrupsionit, të cilat priten të finalizohen në një të ardhme të afërt.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me ekspertet e DEA-s dhe të FBI-së, mbështetja e të cilëve ka mundësuar zbulimin e ngjarjeve të renda kriminale dhe goditjen e “baronëve” të drogës, të cilët operonin të paprekur në Shqipëri dhe jashtë saj gjatë 20 viteve të fundit. Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm informoi për bashkëpunimin shume të mirë ndërmjet Policisë së Shtetit dhe CIA-s, për parandalimin dhe goditjen e terrorizmit dhe të ekstremizmit të dhunshëm. Ndër të tjera, ai kërkoi mbështetjen e ICITAP-it, për të jetësuar qëllimet e Policisë së Shtetit për një integrim sa më të madh të oficereve femra të Policisë, në strukturat drejtuese të saj, duke nënvizuar se eksperienca amerikane në këtë drejtim është nga më të mirat.
Drejtori i Përgjithshëm e siguroi Ambasadorin Robinson, se Policia e Shtetit disponon të gjitha kapacitetet për të kontribuar ne operacione dhe hetime ndërkombëtare, duke ofruar garanci për një partneritet dhe besim reciprok. Dëshmi e kësaj është fakti se Policia e Shtetit është pjesë e grupeve të përbashkëta hetimore me EUROPOL-in dhe me vendet anëtare të BE-së. Dëshmi tjetër është situata e qetë e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik veror, kur Shqipërinë e vizituan mbi 8 milionë shtetas të huaj, për qëllime turistike. Ambasadori Robinson, nga ana e tij, u shpreh shumë i kënaqur që gjatë takimit u ngritën çështje të cilat përbejnë prioritet edhe për Departamentin e Shtetit.
Për sa i përket trafikut të narkotikëve, ai nënvizoi thirrjen e Sekretarit të Shtetit Blinken, për krerët e shteteve, për t’i kushtuar vëmendje të veçantë trafikimit dhe shpërndarjes së drogave sintetike, të cilat janë kthyer në një rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e qytetareve. Ai u shpreh krenar për faktin që Shqipëria është pjesë e koalicionit global kundër drogave sintetike. I informuar për rezultatet në luftën kundër korrupsionit, Ambasadori Robinson theksoi se kjo luftë është shpallur prioritet nga administrata e SHBA-së, si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të çdo vendi. Për këtë ai kërkoi që Policia e Shtetit të punojë sa më ngushtë me SPAK-un, pasi ky i fundit ka nevojë për kapacitete që vetëm Policia e Shtetit i ka, duke përsëritur se bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut është jetik.
Ndihmës Sekretari i Shtetit Robinson u shpreh shumë i lumtur që promovimi i grave në polici përbën një qëllim dhe prioritet në vetvete për organizatën. Ai e përgëzoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, për përpjekjet e tij për ta bërë Policinë e Shtetit gjithëpërfshirëse. Nga ana tjetër, premtoi se Departamenti i Shtetit, INL dhe ICITAP do ta mbështetin pa kursim Policinë e Shtetit, për të bërë realitet këto prioritete shumë të rëndësishme. Ndërkohë, ndau lajmin se një ekip nga Departamenti i Shtetit do të vizitojë shumë shpejt Policinë e Shtetit, për implementimin e një sistemi të avancuar për menaxhimin e burimeve njerëzore dhe performancës së punonjësve të Policisë.