Të ardhurat e larta që po vijnë në buxhet nga turizmi dhe nga ndërtimi janë momenti i duhur, thotë FMN, që qeveria t’i përdorë në disa reforma strukturore në mënyrë që rritja ekonomike të prodhojë më shumë mirëqenie.
Shqipëria po has vështirësi në mbylljen e hendekut të të ardhurave me vendet e BE- së. Informaliteti, mos-funksionimi i shtetit të së drejtës dhe presioni demografik kanë frenuar produktivitetin. Fokus kryesor duhet të jetë mbajtja e kapitalit njerëzor, me përmirësimin e arsimit, tregut të punës dhe investimin në aftësitë digjitale. Gjithashtu urgjente është një rivlerësim i kontratave me PPP dhe rreziqet financiare që mund të sjellin.
Qeverisë shqiptare i bëhet thirrje që të mos ketë më lehtësi fiskale. FMN madje sugjeron se taksa zero për bizneset e vogla të hiqet më shpejt se afati i vendosur në 2029-ën, si dhe të hiqen trajtimet preferenciale me TVSH të disa sektorëve. (Në këtë mënyrë edhe borxhi publik do mund të ulet në nivelin 45% që të mundësojë më shumë hapësira për investime në ekonomi.)
Reforma për paga më të larta në administratë duhet të shoqërohet me rritje produktiviteti dhe eficencë, thotë më tej institucioni.
Ndërkohë për sektorin energjetik sugjerohet rishikimi i tarifave dhe vendosja e tarifave të reja që reflektojnë kostot reale, ndërsa shtresat në nevojë të mbështeten me subvencione.
Reforma e de-euroizimit që ka dhënë pak rezultate sipas FMN-së duhet të përshpejtohet, në mënyrë që vendi të mos jetë nën ndikimin e fortë të luhatjeve nga kursi i këmbimit.
Për sektorin bankar, vlerësohet se përballet me rreziqe të mbetura nga roli tejet i madh i letrave me vlerë të qeverisë dhe ekspozimi ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme.