FMN ka rishikuar me rritje ekonominë e Shqipërisë duke iu bashkuar institucioneve të tjera ndërkombëtare, në nivelin 3.6%. Por, institucioni monetar ndërkombëtar bie në kontrast me Bankën e Shqipërisë sa i përket kthimit të inflacionit në objektiv. Sipas FMN, kjo mund të ndodhë në vitin 2025 dhe jo mesin e vitit të ardhshëm. Me këtë rritje ekonomike Shqipëria është e dyta në rajon pas Malit të Zi. Por, shtatori dha sinjale të reja se inflacioni po vjen sërish në trend rritës. Në nivelin 4.1%, ushqimet, qiratë, argëtimi vijojnë të njohin rritje çmimesh, ndërsa edhe nafta po qëndron në nivele mjaft të larta. FMN Parashikon një inflacion mesatar prej 4.8% gjatë këtij viti, ndërsa në vitin e ardhshëm në nivelin 3.6%.
Banka e Shqipërisë në mbledhjen e fundit të politikës monetare I qëndroi parashikimit se inflacioni kthehet në objektiv mesin e vitit të ardhshëm. Institucioni monetar tha se do të shtrëngojë edhe më shumë politikën monetare, nëse do të jetë e nevojshme duke rritur kështu kostot për huamarrësit. Tashmë, inflacioni po vjen kryesisht nga shkaqe të brendshme si rritja e kostove të punës, ndërsa leku i fortë ka zbehur efektin nga mallrat e importit. Në vlerësimin e saj FMN merr parasysh edhe indikatorin e balancës buxhetore një raport mes deficitit dhe të ardhurave buxhetore, që sipas saj pritet të përmirësohet. Qeveria po mbledh më shumë të ardhura, ndërsa ka hyrë në fuqi dhe ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat, por ekonomia do të jetë nën rrezik nëse konsumi i individëve do të dobësohet nga rritja e çmimeve.