Gjyqi për marrjen në pyetje dhe verifikimin e masës së ish-kryeministrit Sali Berisha edhe sot vijoi një lojë mes avokatëve dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Pak minuta para fillimit të seancës së sotme, e paracaktuar të niste në orën 14:30, në hollin e gjykatës është parë duke pritur një nga avokatët e shtetit, Artan Simoni. Avokati Simoni ishte aty në rast së avokatët e mbrojtjes së ish-kryeministrit nuk do të paraqiteshin në seancë GJKKO do të vlerësonte sërish mundësinë për të mbajtur një proces gjyqësor me dyer të mbyllura me një avokat falas.
Ashtu sikurse dje, edhe sot ish-kryeministri Berisha në konferencën për shtyp deklaroi në se nuk do të ishte prezent, por të përfaqësohej nga dy avokatët mbrojtës Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi. Këtë e konfirmuan edhe vetë avokatët e çështjes për Top Channel. Para orës 14:30 gjykata konfirmoi për Anila Hoxhën se kishte përsëritur njoftimin për Berishën, por pa e bërë të mundur njoftimin. Në orën 14:30, kur ishte lajmëruar edhe seanca në GJKKO janë paraqitur dy avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.
Në orën 14:30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha. Në orën 14:55, avokati kryesisht falas nga shteti Artan Simoni largohet nga mjediset e GJKKO-së. Në orën 16:00 dy avokatët e mbrojtjes Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi largohen nga seanca. Nga ana e tyre u bë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe në këto kushte u larguan nga salla e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.
Në orën 16:11 me largimin e dy avokatëve të mbrojtjes, Gjokutaj dhe Mëngjesi, sipas burimeve të gazetares së TCH, Anila Hoxha, GJKKO thërret sërish avokatin kryesisht falas të shtetit Artan Simoni, i cili ishte larguar. Deri në ardhjen e avokatit Simoni, gjykata ndërpreu për disa minuta shqyrtimin gjyqësor në pritje të mbërritjes së avokatit Artan Simoni, për vijimin e seancës gjyqësore. Ora 16:36, vjen avokati Simoni dhe prokurorët e SPAK, hyjnë në sallë. Ora 16:42, seanca shtyhet edhe për dy orë të tjera koha që kërkoi avokati Artan Simoni, për tu njohur paraprakisht me aktet.