Nga Mero Baze/

Përballja e shumëpritur e drejtësisë me “Berishët”, shënon një ditë që ndan një epokë për sistemin tonë të drejtësisë, për sistemin tonë politik, për luftën ndaj kulturës politike të pandëshkueshmërisë, por edhe për perceptimin dhe besimin e publikut tek përkushtimi dhe pavarësia e prokurorisë dhe gjykatës. Pas 32 vitesh në qendër të politikës, pas qindra akuzave publike nga të gjitha drejtimet për kryerjen e çdo vepre penale që mund të kryejë një pushtetar, më në fund ndaj Berishës ka nisur një hetim konkret, me akuza konkrete, me fakte dhe prova konkrete. Më në fund Berisha ka mundësinë që t’i provojë SHBA-së, se “i ka rënë në qafë kot”, kur e shpalli “non grata” për korrupsion madhor, për keqpërdorim të pushtetit me qëllim pasurimin e familjarëve dhe miqve, si dhe për intimidim të organeve të drejtësisë, për të mos i lejuar që t’a ndiqnin penalisht. Por Berisha nuk duket i qetë, as i gëzuar për rastin që ju dha në gjykata të provojë pafajësinë, për të cilën betohet çdo ditë. Berisha edhe këtë herë po kërkon t’i shmanget përballjes me drejtësinë. Ai nuk do të shkojë në gjykatë, ose edhe kur dërgon avokatët, i dërgon me qëllimin për të zvarritur procesin, për të bërë pseudo kërkesa, apo për të bërë karshillëk.

Berisha po kërkon që gjyqin t’a bëjë ai, t’a bëjë ku do ai, kur do ai. Ndaj ka zgjedhur sallën e vet të konferencave të shtypit si sallë gjyqi, vetveten si prokuror dhe trushpëlarët që e rrethojnë si gjyqtarë. Kurse gazetarët e kronikës i pranon vetëm si publik. Në sallën e “gjyqit të Berishës”, gjykata dhe SPAK-u nuk mund të jenë tjetër, veçse të pandehur, kurse ai prokuror. Berishës i duhet që trushpëlarët e tij të hutohen dhe të mos e kuptojnë, se gjyqi ku “ai është prokuror”, kurse gjyqtarët, SPAK-u dhe GJKKO-ja të pandehur, është teatër absurd dhe i pavlerë, është mashtrim. Që njerëzit të hutohen e të mos kuptojnë, se gjyqi kallp i Berishës, ku ai është prokuror dhe drejtësia e pandehur, bëhet për t’i ikur përballjes me drejtësinë, lipset që Berisha dhe flamurmbajtësit e tij, më sëpari t’i bien rrak-rrakeve.

I kujtoni çfarë janë rrak-rraket?

Dikur tifozët e zjarrtë shkonin në stadiumet e futbollit me rrak-rrake, disa instrumenta prej druri që, kur i rrotulloje buçisnin si automatik rrak-rrak-rrak-rrak-rrak. Nganjëherë rrak-rraket tërhiqnin më shumë vëmendje se sa ndeshjet, ndoshta ngaqë argëtonin më shumë. Tani rrak-rrakja e parë e Berishës është klithma për “shkeljen” e Kushtetutës nga SPAK-u me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i udhëtimit jashtë shtetit”.

Berisha e dënoi me antikushtetueshmëri këtë masë, nga salla e vet e gjyqit, ndërkohë që flamurmbajtësit e tij zaptuan ballkonet mediatike, duke thirrur “Amin!”. Masa e sigurisë ndaj Berishës është vendosur nga gjykata, jo nga SPAK-u. Nëse personi i prekur e gjen atë të paligjshme apo qoftë dhe antikushtetuese, atëherë ai ankohet në Gjykatën e Apelit ndaj saj dhe pret me durim verdiktin. Berisha nuk do të ankohet ndaj kësaj mase, sepse po u ankua, çështja ikën nga salla e tij e konferencave, ku ai është prokuror dhe trushpëlarët e tij gjyqtarë, dhe shkon në një sallë të vërtetë gjykate, me gjyqtarë të vërtetë, ku përplasen argumenta të vërteta dhe jepen vendime prej vërteti. Në këtë sallë nuk gjykojnë trushpëlarët dhe verdikti nuk është në dorën e tij. Prandaj ai ka kapur rrak-rraken dhe bërtet gjithë ditën “nuk i pranoj masat e sigurisë, se ato janë antikushtetuese”. Kuptimi i vetëm kushtetues dhe ligjor i heqjes së lirisë është ai i mbajtjes së personit kundër vullnetit të tij për një kohë të caktuar, si rregull, në një mjedis të mbyllur. Legjislacioni shqiptar njeh si forma të heqjes së lirisë shoqërimin forcërisht, ndalimin, arrestimin në burg, ose në shtëpi, si dhe burgimin. Për deputetin kërkohet autorizim nga Kuvendi për secilën nga këto forma të heqjes së lirisë.

Barazimi i lirisë së personit me lirinë e lëvizjes, ngatërrimi i heqjes së lirisë së personit me kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe servirja e detyrimit për paraqitje herë si njera, herë si tjetra, dhe herë si të dyja bashkë, është rrak-rrake me ngjyrim juridik, pas së cilës duket kanë shkuar me qejf e me dëshirë, pothuaj të gjithë analistët dhe ekspertët e medias, ndoshta për shkak të faktit se ndjehen instiktivisht ekspertë për çdo koncept që ka dhe fjalën liri brenda tij. Që rrak-rraket të shmangin vëmendjen nga fusha e ndeshjes, që t’i bindin njerëzit se ngjarja e vërtetë zhvillohet aty ku tunden rrak-rraket, duhet që ato të jenë më shumë se një, duhet që të kenë volum dhe tonalitete të ndryshme, duhet të konkurrojnë me njëra tjetrën. Kjo është arsyeja pse vendimi gjyqësor për masën e sigurisë së Berishës i duhet jo vetëm antikushtetues, por edhe shpërdorim detyre. Me dy rrak-rrake për të njëjtën gjë, çështja duket më serioze. Publiku i painformuar e ka të vështirë të marrë me mend, se nuk mund të akuzosh për shpërdorim detyre një gjyqtar, vendimin e të cilit refuzon t’a ankimosh në rrugë ligjore, sikurse jo çdokush e kupton se depozitimi i kallëzimit për shpërdorim detyre ndaj gjyqtares Irena Gjoka në këto rrethana fakti, do t’i përplaste në fytyrë Berishës, apo kujtdo trushpëlari që ai mund të vërë të firmosë kallëzimin, një procedim të ri, këtë herë për kallëzim të rremë.

Berisha ende nuk e ka depozituar kallëzimin ndaj gjyqtares. Duket ka ndjerë lagështirën. Ama, rrak-rraken e shpërdorimit të detyrës e ka tundur gjithë ditën. Nuk duhet shumë dije profesionale për të kuptuar që është rrak-rrake edhe klithma e Berishës, se nuk mund të ketë përgjegjësi penale për akte kolegjiale. Përgjegjësia penale është individuale, por veprat penale kryhen edhe me akte kolegjiale. Për vendimet e Këshillit të Ministrave, përgjegjësia penale nuk është e Këshillit të Ministrave (përgjegjësi kolektive), por është individualisht e nëpunësit që ka hartuar aktin me të cilin është kryer vepra penale, e drejtorit të tij që ka administruar procedurën e kundërligjshme, e sekretarit të përgjithshëm që nuk ka ndaluar aktin kriminal, e ministrit që ka mbyllur sytë, secili individualisht, ose të gjithë bashkë në bashkëpunim, në varësi nga rrethanat. Për aktet kolegjiale mund të biesh në burg, por përgjegjësinë e ke individuale. Kryeministri bie në burg për vendimet e Këshillit të Ministrave, kur provohet se aktet me të cilat janë kryer krime janë kërkuar prej tij, ose edhe kur janë kërkuar prej familjarëve dhe nuk janë penguar prej tij.

Përgjegjësia e kryeministrit për aktet kolegjiale është gjithmonë përgjegjësi individuale. Nuk është kot kryeministër ai. Nga Berisha do dëgjojmë shumë në këtë proces, shumëçka do të jetë zhurmë rrak-rrakesh. Le t’i bjerë rrak-rrakeve. Kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi për shqiptarët ka që SPAK-u të ketë bërë një hetim serioz, që gjykata të japë një drejtësi të shpejtë, të paanshme dhe të mbështetur në prova dhe që gjithkush të ketë qartësi. Përndryshe, ashtu siç shikojmë, i vetmi shpëtim që po kërkon Sali Berisha, nuk është nga drejtësia, por nga demokratët, të cilëve u kërkon të sakrifikojnë dhe një herë për 17 kullat e dhëndrit të tij dhe të ngrihen të mbrojnë Sali Berishën. Praktika e gjyqeve nga salla e konferencave të shtypit, ku i akuzuari bëhet prokuror dhe demokratët nëpër sheshe gjyqtarë, është rrak rrakja e fundit që do të dëgjojmë.
Por nuk duhet të presim sheshet bosh të Berishës për të vepruar ndaj tij. Sheshet bosh mund t’i dhembin fort Berishës, por shqiptarëve u dhemb më shumë qelia bosh e tij.