Gjykata ka konfirmuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe ndalim për daljen jashtë Shqipërisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili është nën akuzë nga SPAK për korrupsion pasiv për aferën e privatizmit të ish- kompleksit ‘Partizani’.
Sali Berisha urdhërohet të mos dalë jashtë shtetit dhe të paraqitet në SPAK të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në orën 10.00 para oficeres së policisë gjyqësore Adelajda Ahmetaj. Me këtë vendim, Gjykata vendosi të konfirmojë masën e sigurisë ndaj ish kryeministrit, të vendosur në datën 20 tetor 2023 kur urdhëroi edhe arrestimin e Jamarbër Malltezit, dhe masën detyrim paraqitje për biznesmenin Fatmir Bektashi.
Gjykata e shpalli vendimin pas një seance që nisi të enjten në orën 15.00, pas gjyqtarja Flora Hajderinaj, rrëzoi kërkesën për përjashtim dhe konfirmoi si legjitime gjyqtaren e masës Irena Gjoka. Seanca e së enjtes zgjati rreth 2 orë e 40 minuta. Shkak për këtë kohëzgjatje, u bë tërheqja nga mbrojtja e avokateve Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, të cilat u zgjodhën nga lista e gjykatës, pasi mbrojtësit e pajisur me prokurë nga Berisha braktisën gjykatën një ditë më parë ndërsa avokati i parë i caktuar nga shteti, Artan Simoni u zëvendësua të mërkurën.
Pas tyre Gjykata zgjodhi nga lista e mbrojtësve të paguar nga shteti avokatet Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia të cilave në orën 10.30 të së enjtes u la kohë për tu njohur me dosjen deri në orën 15.00. Pas nisjes së seancës, Gjykata tha se të pranishëm në sallë ishin prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millona, ndërsa i hetuari Sali Berisha u përfaqësua nga mbrojtësit e paguar nga shteti, Rabije Cenalia dhe Jalldiz Kastrati të cilat nuk morën përsipër realizimin e mbrojtjes. Report Tv kontaktoi me avokaten Jalldiz Kastrati mbi arsyet pse nuk përfaqësoi Berishën në një kohë që kishte pranuar fillimisht, e madje kishte marrë materialet e dosjes për tu njohur, por ajo tha se nuk mund të flasë për seancën që ishte zhvilluar me dyer të mbyllura.
Për të shmangur një zvarritje të mëtejshme të procesit, referuar listës së avokatëve të paguar nga shteti, Gjykata caktoi si avokate Valentina Todoreskun. Asaj iu la koha e nevojshme për t’u njohur me aktet e kërkesës me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha dhe më pas u bë konfirmimi i masës.
Vlerësimi i masës ndaj Sali Berishës hyri në një spirale të pazakontë që prej datës 21 tetor, kur oficerë të policisë shkuan në selinë e rithemelimit, për t’i njoftuar të pandehurit për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore”. Pasi nuk arritën të marrin firmën e Berishës, agjentët e policisë tentuan ta bëjnë këtë dy ditët në vazhdim duke u paraqitur tek banesa e ish-kryeministrit. Më 24 tetor, dy avokatët Sokol Mengjesi dhe Genc Gjokutaj të pajisur me prokurë nga Berisha, u paraqitën në gjykatë, ku kërkuan përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe pretenduan se bënë një kallëzim penal ndaj saj, me argumentin se nuk ka kërkuar autorizim nga parlamenti për masën ndaj Berishës. Një ditë më pas, ata braktisën seancën duke akuzuar gjykatën se nuk u dha aktet, dhe se refuzoi kërkesën e tyre për të kërkuar interpretim në gjykatën Kushtetuese.
Kërkesën për përjashtimin e gjyqtares e ka shqyrtuar dhe rrëzuar sot gjyqtarja Flora Hajredinaj, e cila nuk e ka përjashtuar Gjokën, me argumentin se kërkesa e avokatëve të Berishës është e pabazuar.
Akuzat
Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. Ndërtuesi Fatmir Bektashi akuzohet për ‘korrupsion aktiv’ dhe ‘pastrim parash’ . GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri.
Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në kesh, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milinë euro.
Nga ana tjetër edhe Bektashi dyshohet se ka kryer korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në bashkëpunim me Malltezin, duke i dhënë atij përfitimeve të paligjshme në shuma të mëdha, me qëllimin e përbashkët për të bërë ndërtime në terrenet sportive. Ai dyshohet se në bashkëpunim me Malltezin kanë kryer pastrim të produkteve të veprës penale teksa kanë fshehur origjinën e vërtetë të përfitimeve monetare të parregullta të Malltezi, duke i paraqitur ato si të ardhura te ligjshme nga biznesi.