Avokati Adriatik Doga, i cili sipas të penduarit të drejtësisë Artan Tafani ishte nën shënjestrën e grupit të Laert Haxhiut për t’u ekzekutuar, ka deklaruar se nuk është kërcënuar asnjëherë.

Ai theksoi se 39-vjeçarin Artan (Marjus) Tafani e ka kushëri dhe se ky i fundit 3 muaj më parë ka pirë kafe tek lokali i tij.

“Kur xhaxhai i tij mori vesh që ishte arrestuar Marjusi më tha mua që të isha avokat. Të nesërmen del që donte të më bënte mua atentat”, tha Avokati Adriatik Doga.

“E mora vesh nga konferenca për shtyp e drejtorit të Policisë së Shtetit. U shokova, thashë çfarë është ky trillim, mashtrim. Duke kaluar ditët, telefonat e njerëzve, normalisht që frikësohesh e traumtizohesh, është hall më vete edhe sqarimi i familjes, i njerëzve, miqve që nuk pushon telefoni.

Thonë që më kanë bërë 3 herë atentat, që kanë ardhur për të më vrarë tek dera e shtëpisë, por për mua kjo nuk ekziston. Nuk jam ndjerë asnjëherë i kërcënuar, s’më ka marrë njeri në telefon të më thotë një fjalë të keqe apo ofenduese, prej 10 vitesh që jam avokat.

Asnjë përplasje dhe asnjë marrëdhënie me Laert Haxhiun, kam qenë avokat i Marjusit, sepse e kam kushëri. Kemi qenë në çdo sebep familjar, në çdo vaki edhe kur i ka vdekur i jati në ’97 që ia kanë vrarë kemi qenë prezent.

Para 3 muajsh Marjusi ka qenë tek lokali im ka pirë kafe. Kur xhaxhai i tij mori vesh që ishte arrestuar Marjusi më tha mua që të isha avokat. Të nesërmen del që donte të më bënte mua atentat. S’kam pasur marrëdhënie konfliktuale me Marjusin apo me këdo tjetër, jo asnjëherë”, tha ai.