Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Marrakesh të Mbretërisë së Marokut.
Në deklaratën për shtyp të Komitetit Ndërkombëtar Monetar Financiar të FMN-së konstatohet se: Ekonomia globale u shfaq rezistente, sipas perspektivës së rritjes globale 2023, e cila u rishikua disi në pranverën e kaluar. Por rimëkëmbja ka qenë e pabarabartë, pasi veprimtaria ekonomike në shumë vende mbetet mjaft poshtë tendencave të parapandemisë, ndërsa divergjencat midis vendeve po vijnë duke u rritur. Projeksionet afatmesme të rritjes globale mbeten të dobëta. Inflacioni i përgjithshëm global ka rënë, ndonëse në disa vende mbetet shumë lart mbi objektivin. Inflacioni bazë ka rezultuar më i qëndrueshëm sesa parashikimi. Falë veprimeve këmbëngulëse të ndërmarra në fillim të vitit 2023 për të frenuar turbulencat financiare, rreziqet afatshkurtra janë më të balancuara, por mbeten në kahun e poshtëm. Lufta në Ukrainë, dobësitë në rritje të borxhit, shtrëngimi i kushteve financiare, goditjet e shtuara klimatike, pabarazia në rritje, refugjatët e popullsia e shpërngulur, pasiguria ushqimore, si dhe rreziku i fragmentimit mbeten shqetësime për ekonominë globale, duke ndikuar më së shumti vendet e shtresat e popullsisë më në nevojë.
Gjatë takimeve me përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së, Guvernatori Sejko foli për zhvillimet e fundit në ekonominë shqiptare. Ai u shpreh se Shqipëria, si edhe vendet e tjera, u prek nga goditjet e pafavorshme ekonomike globale. Inflacioni në Shqipëri filloi të rritet në fund të vitit 2021, u përshpejtua me shpërthimin e agresionit të Rusisë në Ukrainë, arriti kulmin në tetor 2022 dhe filloi të ngadalësohej gradualisht më pas.
Guvernatori shtoi se Banka e Shqipërisë për të garantuar stabilitetin monetar dhe financiar të vendit, nisi procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, duke filluar nga marsi i vitit 2022. Ky normalizim u realizua nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit, nga minimumi prej 0.50% në fillim të vitit 2022, në nivelin 3.00% në mars të vitit 2023.
Sejko theksoi se politika e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka qenë e mbështetur në të dhëna transparente dhe i është komunikuar në mënyrë efektive aktorëve vendas. Ai shtoi se aktualisht, norma bazë e interesit në vend është e ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të BE-së, duke reflektuar një normë më të ulët inflacioni të përgjithshëm. Ndërkohë, parashikimet tregojnë për një reduktim gradual të tij, me një kthim në objektivin tonë prej 3% që pritet të arrihet në mesin e vitit 2024.
Interesit të përfaqësuesve të FMN-BB për ekspozimin e sistemit bankar shqiptar, Guvernatori Sejko iu përgjigj se sistemi financiar ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, falë përpjekjeve dhe reformave të ndërmarra në vazhdimësi nga Banka e Shqipërisë, të cilat kanë përmirësuar kuadrin rregullator dhe kanë reduktuar dobësitë. Përfaqësuesit e FMN-BB inkurajuan monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, të kursit të këmbimit dhe të normës së interesit.