Juristi Kreshnik Spahiu e ka cilësuar të çuditshëm faktin që dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi të akuzohet më rëndë se vetë Berisha. Në një intervistë për Euronews Albania ai tha se Berishës ende nuk i është komunikuar akuza si i pandehur. Ai mbetet thjesht i dyshuar me një masë sigurimi.
“Është hera e parë që kemi dy familjarë nën akuzë. Kemi Abi Malltezin, i cili nuk ka qenë zyrtar publik, kemi dhe Sali Berishën që ka qenë kryetar i vendit dhe ka pasur përgjegjësinë dhe detyrimin ligjor.
Dhëndri i cili nuk kishte përgjegjësi administrative, politike, ligjore është në burg, Sali Berisha që kishte përgjegjësi shtetërore dhe detyrimin për të mos abuzuar me ligjin nuk është në arrest. Në të gjithë historinë politike të 33 viteve, të gjithë ish-kryeministrat e tjerë, kemi pasur dy ish-kryeministra, Vilson Ahmetin dhe Fatos Nanon, të dy kur janë hetuar, janë hetuar në gjendje arresti, pak a shumë me të njëjtën akuzë,” – u shpreh Spahiu.