Në vijim të vizitës zyrtare në Kanada, Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua me Kryetarin e Dhomës së Komuneve të Kanadasë. z.Greg Fergus. Delegacioni i Kuvendit ishte i pari që u prit nga Kryetari i sapozgjedhur i Dhomës së Komuneve. Në takim ishin të pranishëm Zëvendëskryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, deputeti Eduard Ndreca dhe Ambasadori Ermal Muça.
Kryetarja Nikolla vuri në dukje se “Gjatë 36 vjetëve të marrëdhënieve diplomatike, Kanadaja është një mike dhe partnere e çmuar, me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin, demokratizimin dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me Kanadanë na lidh bashkëpunimi në NATO, OSBE dhe OKB, sidomos vitet e fundit kur Shqipëria shërben si anëtare e KS dhe prej 10 tetorit edhe si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut. Në këtë partneritet na ndihmojnë vlerat e përbashkëta, përkushtimi për paqen, të drejtat e njeriut dhe përballimin e sfidave globale. Të dy vendet tona do të bashkëpunojnë për luftën kundër terrorizmit, sigurinë kibernetike, mbështetjen e Izraelit përballë sulmeve të Hamasit, të Ukrainës përballë agresionit të Rusisë, dhe ndihmën ndaj refugjatëve afganë.”
Znj. Nikolla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Kanadasë për pavarësinë, zhvillimin, demokratizimin dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe nënvizoi se të dy vendet tona do të bashkëpunojnë edhe për mbrojtjen e stabilitetit e integritetit të Kosovës dhe nxitjen e dialogut me Serbinë, mbështetur në zgjidhjet e ofruara nga ShBA dhe BE.
Kryetarja Nikolla e informoi homologun edhe mbi Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe lidershipin e kontributin e Shqipërisë në integrimin rajonal.
Duke vlerësuar Kanadanë si një investitor i rëndësishëm në Shqipëri, znj. Nikolla i sugjeroi homologut Fergus rritjen e investimeve kanadeze në sektorët e energjisë, minierave, bujqësisë, digjitalizimit, mbrojtjes kibernetike etj. Për këtë do të shërbente edhe riaktivizimimin i Fondit Kanadez për Nismat Lokale, hapja e Ambasadës në Tiranë dhe finalizimi i
marrëveshjeve për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e taksimit të dyfishtë.
Kryetari i Dhomës së Komuneve, z.Greg Fergus, shprehu kënaqësinë se delegacioni i Kuvendit ishte i pari delegacion i huaj që pret pas zgjedhjes në detyrë. Dhoma e Komuneve është shumë e interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit me Kuvendin e Shqipërisë. Bashkëpunimi parlamentar do të mbështesë dy vendet tona për të përballuar sfidat e përbashkëta globale. Z. Fergus vlerësoi lidershipin e fortë të Shqipërisë në KS të OKB dhe në NATO dhe nënvizoi se në këto aspekte Kanadaja ka ç’të mësojë nga Shqipëria. Dhoma e Komuneve do të nxisë rritjen e investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare me Shqipërinë sepse Kanadaja është një vend tregtar dhe ekonomia e tregtia afrojnë vendet dhe popujt.