Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan, duke folur në mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit tha se Hamasi janë nazistët e sotëm.
“Brutaliteti i krimeve nuk është e vetmja gjë që nazistët e egër të Hamasit ndajnë me nazistët gjermanë,” shpjegoi ai.
Forcat tokësore izraelite hynë më thellë brenda Gazës të hënën, duke përparuar me tanke dhe autoblinda drejt qytetit kryesor të këtij territori, si dhe duke liruar një ushtare që mbahej e burgosur nga militantët e Hamasit. Kryeministri izraelit refuzoi thirrjet për armëpushim, ndërsa sulmet ajrore godisnin pranë spitaleve ku mijëra palestinezë janë strehuar së bashku me të plagosurit.
Gjatë natës, sipas mediave të huaja rreth 50 persona u vranë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës, përfshirë këtu edhe fëmijë. Në qytetin jugor të Rafah, të paktën 27 persona u vranë në dy sulme në ndërtesa banimi, njoftoi agjencia e lajmeve Wafa. 18 persona të tjerë humbën jetën nga një bombë në zonën Al Zawaida dhe shtatë në lagjen Al Zaytoun. Tre persona, përfshirë një djalë 6-vjeçar, u vranë në një tjetër bastisje në pjesën veriore të Rripit. Sipas Wafa, numri i viktimave pritet të rritet dhe disa persona janë ende të bllokuar në rrënojat e ndërtesave të bombarduara.
Ushtria izraelite tha se kanë sulmuar rreth 300 objektiva në orët e fundit në Rripin e Gazës. Zëdhënësi ushtarak Jonathan Conricus u shpreh se ushtria izraelite po “godit në të gjitha pjesët” e enklavës. Ndërkohë, Hamasi ka marrë përgjegjësinë për bombardimin e forcave të këmbësorisë izraelite pranë Kerem Shalom, në Rripin jugor të Gazës.