Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja takoi sot në Zagreb përfaqësues të parlamentit Kroat, kryesuar nga Željko Reiner, zv.kryetar i parë i Parlamentit të Kroacisë.
Manja u shpreh në rrjetet sociale se pati një bashkëbisedim të hapur mes miqsh të vjetër të rajonit me një mesazh domethënës nga takimi: ”Kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe faktorin shqiptar në rajon, Parlamenti kroat tregon një unitet të rrallë, pa dallime pozitë-opozitë”.
“Diplomacia parlamentare e Kroacisë, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, është një avokat i shkëlqyer për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Ky bashkërendim i ngushtë tregon forcën e miqësisë dhe solidaritetit midis dy vendeve tona”, u shpreh Manja.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja po zhvillon vizitë në Zagreb ku më herët pati takime në Prokurorinë e Përgjithshme të Kroacisë si dhe u takua me homologun kroat, Ivan Malenica, ku palët ranë dakord për të punuar ngushtësisht për kapitujt e Drejtësisë në negociatat për integrimin në BE të Shqipërisë.