Mark Frroku është vënë në pranga bashkë me disa persona të tjerë pasi një sherri për rrethimin e një zone në vendin e quajtur Kepi i Rodonit.
Policia tha se ish-deputetin dhe personat që ishin me të i ka referuar në prokurori nën katër akuza, mes të cilave edhe prishje të rendit dhe të qetësisë publike. Në fakt, ajo që ka ndodhur mesditën e së dielës mes palëve të përfshira në një konflikt ende nuk është qartësuar nga policia për shkak se të dyja pretendojnë se kanë dy palët certifikata pronësie.
Referuar të dhënave të hetimit mësohet se në dëshminë e tij, Frroku ka mohuar të kishte lidhje me pronën, por ai ishte kontraktuar nga ana e Kishës për të ngritur murin rrethues për mbi 5 mijë metër katrorë tokë, që Kisha thotë se e ka me certifikatë pronësie, ashtu siç edhe pretendon një familje vendëse, me të njëjtin fakt.
Konflikti mes Kishës dhe familjeve nuk është i ri dhe në dijeni të tij kanë qenë të gjitha autoritetet vendore dhe shtetërore, por nuk është ndërhyrë për ta zgjidhur, ndërkohë që ende nuk ka një vendim dhe reagim nga IMT-ja e Durrësit. Mark Frroku është shoqëruar dhe më pas është arrestuar bashkë me tre persona të tjerë, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim.
Bëhet fjalë për personin që pretendohet se ka qëlluar me armë në ajër dhe më pas është larguar. Konflikti Konflikti për pronat në bregdet ka çuar në pranga 8 persona, mes tyre edhe ishdeputeti Mark Frroku, të cilët janë përfshirë në një sherr masiv ditën e diel. Përfaqësues të Kishës Katolike Françeskane kanë qenë duke rrethuar këtë pjesë toke për të kufizuar pronën e tyre, të cilën e kanë me certifikatë pronësie. Por pronësinë e saj e pretendojnë dhe banorë të zonës.
Familja Kaculi ka një tjetër certifikatë pronësie dhe pretendon se e ka fituar atë përmes ligjit 7501. Të dyja palët u përfshinë në një konflikt fizik mes të cilëve dhe ish-deputeti Mark Frroku, po vendosnin gardhin për të rrethuar pronën e tyre.
Ndaj ish-deputetit Mark Frroku, që ishte në rolin e sipërmarrësit dhe përfaqësuesve të tjerë të Kishës Françeskane rëndojnë akuzat për “Kanosje”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, si dhe “Moskallëzim krimi”. Ndërkohë banorët e arrestuar akuzohen për “Vetëgjyqësi” dhe “Plagosje me dashje”.
Në kërkim është shpallur një tjetër person, nga grupi i përfaqësuesve të kishës që dyshohet se qëlloi me armë zjarri në vendin e ngjarjes. Rreth një muaj më parë IMT e Bashkisë Durrës pezulloi punimet për rrethimin e tokës derisa të sqarohet nga Kadastra pronësia e tokës. Ndërsa ASHK nuk ka kthyer ende një përgjigje, përfaqësuesit e kishës janë rikthyer për të rrethuar tokën të dielën.
Kjo situatë është kthyer në konflikt fizik, ku disa persona mbetën të plagosur lehtë nga goditjet. Konfliktet mes banorëve të zonës dhe kishës françeskane janë të hershme, ndërsa kisha përmes përfaqësuesit ligjor të saj bëri të ditur se ka ndërprerë kontratën me përfaqësuesen e mëparshme të saj Ana Shtjefni, e cila në konfliktin mes palëve ka kaluar në mbështetje të banorëve duke deklaruar se të drejtën e pronës mbi tokën e ka familja Kaculi. Gjithsesi, do të jenë autoritetet përgjegjëse, fillimisht Kadastra, që do të përcaktojë situatën e tokës në konflikt dhe në rast se do të ketë mbivendosje prone, çështja do të kalojë në gjykatë.
POLICIA
U konfliktuan me sende të forta me njëri-tjetrin, në Kepin e Rodonit për motive pronësie, arrestohen në flagrancë 8 shtetas (nga të dyja palët në konflikt). Vijon puna për kapjen e shtetasit që dyshohet se qëlloi me armë zjarri, në ajër, gjatë konfliktit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manzë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, te kepi i Rodonit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:
Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka dhe Ylli Reka për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “ Vetëgjyqësia”.
Ndërkohë nga pala tjetër janë arrestuar Mark Frroku, Antonio Lazeri, Pal Doda dhe Martin Lazeri për veprat penale “Kanosja”, “Moskallëzim i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.