Zbardhet dëshmia në prokurori e ish deputetit Mark Frroku i cili u arrestua dje së bashku me 7 persona të tjerë pas një përplasjeje të dhunshme fizike për pronën në Kepin e Rodonit.

Prokuroria ka marrë në pyetje palët në konflikt për një sipërfaqe toke, rreth 5 dynym e 417 metër e cila ka dalje në det.

Aty të dielën e 29 tetorit, familja Kaçuli mbështetur nga banorë të zonës dhe miq të tyre, kundërshtuan punimet për rrethimin e një sipërfaqeje toke të pretenduar njëherësh nga Kisha Franceskane dhe nga Bajram Kaçuli.

Mark Frroku ka deklaruar se është kontaktuar nga kisha me bërë rrethimin dhe thotë se nuk dinte të ketë qëlluar njeri me armë nga njerëzit që po punonin për rrethimin e tokës si dhe nga ata që ishin me të në vendngjarje

“Jam kontraktuar nga kisha për të bërë rrethimin e tokës.Në momentet që po punonim jemi sulmuar nga një grup fshatarësh të cilët na thanë që të ndërpresim punimet se toka është e jona.Na kanë goditur e ne jemi mbrojtur. Ndërkohë ka ardhur policia e na ka ndarë e më pas na ka ndaluar. Lidhur me tokën, kisha ka dokument të vjetër pronësie.” Nuk di të ketë qëlluar njeri me armë nga njerëzit që po punonin për rrethimin e tokës sidhe nga ata që ishin me mua në vendngjarje”:

Ndërkohë familja Kaçuli është shprehur se kishin shkuar për të mbrojtur tokën që e kishin fituar me letra me ligjin 7501