Në kuadër të vizitës së Presidentit francez Emmanuel Macron dhe forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Francës, në Tiranë u nënshkruan sot disa marrëveshje. Një prej tyre ishte pikërisht ajo për një udhërrëfyes për bashkëpunimin ekonomik midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Francës, nënshkruar nga Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës së Republikës së Shqipërisë, Belinda Balluku dhe Ministri i Deleguar i Tregtisë së Jashtme, Atraksionit dhe Diasporës së Republikës Franceze z. Olivier Becht.

“Investimet e kompanisë së ekselencës franceze Voltalia në Shqipëri, janë dëshmi e qartë e marrëdhënieve ekonomike të intensifikuara në mënyrën më optimale vitet e fundit. Shembulli Voltalia është një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë investitorët e tjerë dhe me kënaqësi kemi konstatuar se dhe Total, një tjetër kompani e madhe energjetike franceze, ka nisur tashmë investimet në Shqipëri. Mbrëmë gjatë darkës zyrtare, të organizuar në Pallatin e Brigadave për nder të Presidentit Macron, Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Emmanuel Macron përgëzuan nga afër kompaninë Voltalia, por ishte dhe një mundësi e mirë për të diskutuar më tej me kolegun, Ministrin, Olivier Becht për planet zhvillimore të së ardhmes midis dy vendeve tona,” u shpreh Zv/Kryeministrja Balluku pas nënshkrimit të marrëveshjes.