E ftuar në programin “Në Shtëpinë Tonë”, mjekja stomatologe Ama Mino, ka folur mbi kujdesin maksimal që prindi duhet të tregojë për higjienën orale të fëmijës. Mino tregoi shpesh janë prindërit ata që i tremben dentistit duke projektuar këtë frikë të fëmijët e tyre dhe si rrjedhojë refuzojnë t’i çojnë tek dentisti.
Doktoresha thekson se është shumë e rëndësishme që konsultet me dentistin të jenë të hershme, ndoshta edhe me daljen e dhëmbit të parë. Dhëmbët e qumështit janë dhëmbë që do zgjasin deri në moshën 12 vjeçare dhe si e tillë është e rëndësishme që prindi të tregojë kujdes. Ushqimet, ajo çfarë hamë dhe higjiena e përditshme luajnë një rol të rëndësishëm. Dr Mino e vendos theksin te rëndësia dhe shpeshtësia e florizimit. Sa më shumë të aplikohet aq më mirë është, thekson ajo. Fëmijët duhet të mësohen mos të krijojnë vese si mbajtja e gishtin në gojë apo edhe futja e sendeve të ndryshme në gojë, pasi edhe pse janë gjeste të cilat çlirojnë një lloj kënaqësie te fëmija, afatgjatë kanë efekte negative duke ndikuar në një keqformim të nofullës të fëmijës.
Dentistja gjatë intervistës, gjithashtu ka treguar se si funksionin nëse një fëmijë thyen dhëmbin. Sipas saj në rastin më të mirë kur thyen vetëm kurorën e dhëmbit, mjekohet, sistemohet dhe mbushet, duke e shpëtuar, nëse është thyer rëndë, merret vendimi për ta hequr për të shmangur infeksionet. Mino është ndalur edhe në një nga traumat më specifike që ndodh rrallë, rënia e një dhëmbi të gjithë, me rrënjë. Ajo shprehet se dhëmbi duhet të vendoset nën gjuhën e fëmijës, ku ka pështymë dhe të shkojnë në klinikën më të afërt dentale. Nëse fëmija ka truam, dhëmbi të vendoset në një gotë qumësht për një orë derisa të mbërrijnë tek dentisti për t’ja vendosur sërish dhëmbin në vendin e vetë.
“Unë do ndalesha në një nga traumat më specifike dhe më të rralla, që ndodh shumë rrallë por ndodh. Është një këshillë që duhet mbajtur mend sepse ku i dihet. Ka raste kur nga goditjet këto dhëmbët e rinj dalin të tërë siç janë, një trup, dalin nga alveola del komplet dhëmbi me gjithë rrënjën, i pa thyer. Në të tilla raste kur shikoni që dhëmbi i ri ka dalë nga alveola i plotë, këshilla është ju lutem, merreni dhëmbin dhe vendoseni poshtë gjuhës të fëmijës, të qëndrojë në pështymën e tij dhe çojeni sa më shpejt tek dentisti. Absolutisht nuk mund të vendoset në ujë. Nëse fëmija ka traumë, gjakrrjedhje gjatë goditjes atëherë sugjerohet me në një gotë me qumësht. Mund të qëndrojë deri në një orë. Dentisti e vendos menjëherë dhëmbin në alveolë dhe i lidhet në mënyrë që të mos i lëvizë dhe ka një sukses goxha të lartë”, shprehet Ama Mino.