Në veset e këqija që mund t’i kenë njerëzit përfshihen edhe sjellje të caktuara kundrejt trupit ose zonave të caktuara. Bëhet fjalë për shkuljen e kutikulave të thonjve, ngacmimin e lëkurës së buzëve, ngacmimin e puçrave, plagëve në lëkurë apo ngrënien e thonjve. Studimet tregojnë se 30 për qind e njerëzve në botë i hanë thonjtë, madje edhe pa vetëdije. Kjo gjë dëmton lëkurën dhe thonjtë, por shkakton dëmtime edhe te dhëmbët dhe mund të nxisë infeksionet. Ngrënia e thonjve është më e përhapur te fëmijët, ndërsa në mesin e të rriturve, ky ves shfaqet në të tridhjetat. Njerëzit që kafshojnë ose hanë thonjtë janë më të prirur të vuajnë nga infeksionet në stomak apo e ftohura.

Arsyeja është e thjeshtë: thonjtë mbledhin qindra mijëra baktere, nga më të këqijat, të cilat më pas transferohen direkt në gojë, duke rritur rrezikun e infeksioneve apo sëmundjeve nga më të ndryshmet. Në kohët aktuale, ngrënia e thonjve është më e rrezikshme se kurrë. Shkulja e kutikulave apo kafshimi i thonjve mund të shkaktojë infeksione nga më të rrezikshmet në lëkurë.

Çarjet e vogla në lëkurë përbëjnë strehën ideale të baktereve, të cilat mund të depërtojnë edhe në shtresat më të thella të lëkurës. Sikur të mos mjaftonin dy arsyet e mësipërme, ekspertët thonë se ky ves mund të shkaktojë dëme në enamelin e dhëmbëve.

Ka pasur raste kur njerëz me ves të tillë kanë zhvendosur nofullën. Ky ves është tepër i dëmshëm sepse nxit infeksione të ndryshme në mishrat e dhëmbëve. Strategjia e parë është që të jeni të vëmendshëm ndaj emocioneve që ju nxisin të kryeni këtë veprim. Nëse jeni prezentë në moment dhe të vëmendshëm, mundet që thjesht të ndaloni ose t’i mbani duart të zëna. Mund të përtypni çamçakëz që të frenoheni nga kjo dëshirë. Një alternativë tjetër është t’i lyeni thonjtë me llak. Shija e tij do të jetë aq e keqe sa do ju pështiroset edhe vesi i keq.