Normat e interesit të kredive për shtëpi në Lekë pësuan përsëri rënie në muajin gusht. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në Lekë gjatë muajit gusht zbriti në 3.89%, nga 4.04% që kishte qenë në muajin korrik. Kjo vlerë është njëkohësisht më e ulëta e regjistruar prej më shumë se një viti.

Pasi u rritën deri në një nivel mesatar prej 4.99% në muajin nëntor 2022, normat mesatare të interesit pësuan një rënie graduale dhe aktualisht qëndrojnë ndjeshëm poshtë niveleve të shënuara në pjesën e dytë të vitit të kaluar. Një faktor përcaktues në trajektoren e normave të interesit ka pasur frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe sidomos rënia e yield-eve të Bonove të Thesarit.

Normat e interesit të kredive me norma të ndryshueshme interesi janë të lidhura drejtpërsërdrejti me ecurinë e yield-eve të Bonove, kryesisht të atyre 12 mujore. Gjatë këtij viti, yield-et e Bonove 12-mujore kanë shënuar një tendencë rënëse, duke zbritur shumë afër nivelit të normës bazë të interesit.

Një rënie e normës mesatare të interesit në muajin gusht u vërejt madje edhe për kreditë në Euro. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja zbriti në 4.97%, nga 5.32% që kishte qenë në muajin korrik. Këtë vit, normat e interesit për kreditë në Euro në përgjithësi kanë shfaqur një tendencë në rritje, duke reflektuar politikat e Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e normës bazë të monedhës europiane në nivelin më të lartë historik. Kjo rritje është reflektuar edhe në treguesin referencë rë Euriborit. Euribori 12-mujor ndodhet pranë nivelit të 4.2%, më i larti në 15 vjet.

Sidoqoftë, edhe në monedhën Euro norma mesatare e interesit të kredive ngelet me një marzh të vogël mbi Euriborin dhe rritja e normave të interesit që nisi në 2022 nuk është përcjellë plotësisht. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit gusht portofoli i kredisë për blerjen e pasurive të paluajtshme nga individët arriti në afërsisht 176 miliardë lekë ose rreth 1.66 miliardë euro.

Krahasuar me një vit më parë, vlera e portofolit të kredisë për shtëpi është rritur me 8.7%, ndërsa krahasuar me tre vjet më parë është rritur me 42.8%. Ndërkohë, bankat po vazhdojnë të ofrojnë kushte tërheqëse për këtë produkt, sidomos në periudhën fillestare me norma fikse interesi. Kredia për shtëpi është një produkt që u mundëson bankave ndërtimin e portofolave afatgjata dhe një shpërndarje të mirë të rrezikut të kredisë. Kredia për shtëpi është gjithashtu ndër produktet më cilësore të kredisë, me raportin më të ulët të kredive me probleme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se raporti i kredive me probleme për këtë produkt ka vazhduar të bjerë edhe në gjysmën e parë të vitit 2023. Në fund të muajit qershor, raporti i kredive me problemeve në kredinë për shtëpi zbriti në 2%, nga 2.3% që kishte qenë në fund të vitit 2022 dhe 2.7% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Raporti i kredive me probleme për kredinë për shtëpi është ndjeshëm më i ulët krahasuar me portofolin total të kredisë të sektorit bankar. Në mesin e këtij viti, raporti i kredive me probleme për të gjithë portofolin e kredisë ishte 5.2% (në gusht arriti në 5.3%), në rritje të lehtë nga niveli prej 5% i fillimit të vitit./Monitor