Kolumnisti amerikan Thomas Friedman thotë se bota ka hyrë në atë që ai e quan një epokë “pas Luftës së Ftohtë”, e cila premton pak prosperitet dhe parashikueshmëri, në mungesë të mundësive të reja, si ato që kanë karakterizuar epokën e pas Luftës së Ftohtë në 30 vitet e fundit që nga rënia e Murit të Berlinit.

Ai shtoi se ka arsye që e shtyjnë atë ta thotë këtë, por asnjë nuk është më e rëndësishme se ajo që po bëjnë katër liderët kryesorë botërorë, të cilët kanë një gjë të përbashkët: “Secili prej tyre beson se lidershipi i tyre është i nevojshëm dhe ata janë të gatshëm të bëjnë më të mirën e tyre për të qëndruar në pushtet për aq kohë sa të munden”.

Ai shpjegon se me këtë nënkupton Vladimir Putin nga Rusia, Xi Jinping nga Kina, Donald Trump nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Benjamin Netanyahu nga Izraeli.

Friedman thotë se këta të katër, secili në mënyrën e vet, shkaktuan trazira të mëdha brenda dhe jashtë vendeve të tyre të motivuara thjesht nga interesat e tyre dhe jo nga interesat e popullit të tyre.

“Nga përparimi ekonomik te patriotizmi i militarizuar”

Ata e kanë bërë shumë më të vështirë për vendet e tyre që të funksionojnë normalisht në të tashmen dhe të planifikojnë me mençuri për të ardhmen, siç gjykon Friedman.

“Merrni, për shembull, Vladimir Putin, i cili filloi si reformator dhe arriti të stabilizojë Rusinë pas Presidentit Boris Jelcin.

Ai mbikëqyri bumin ekonomik të vendit të tij falë rritjes së çmimeve të naftës.

Por ndërsa të ardhurat nga nafta filluan të bien, ai bëri një ‘kthesë të madhe’ në fillim të mandatit të tij të tretë presidencial në 2012, pasi demonstratat më të mëdha kundër tij shpërthyen në 100 qytete ruse dhe ekonomia e tij u lëkund”.

Në një rubrikë të përjavshme në The New York Times (NYT), Friedman shkruan se zgjidhja e miratuar nga Putini ishte “të zhvendoste bazën e legjitimitetit të regjimit të tij nga përparimi ekonomik në patriotizmin e militarizuar”, duke e kthyer Rusinë në një kështjellë “të rrethuar” që vetëm ai mund ta mbrojë.

Ai u shndërrua nga “një shpërndarës i të ardhurave në një shpërndarës dinjiteti… Pushtimi i tij në Ukrainë për të rivendosur atdheun mitik rus ishte një gjë e pashmangshme”.

Sa për Xi Jinping, gjatë sundimit të tij Kina ka pësuar një përmbysje 180 gradë pas një faze hapjeje të vazhdueshme, e karakterizuar nga lirimi i kontrolleve dhe kufizimeve.

Është e qartë se Xi besonte se Partia Komuniste Kineze kishte filluar të humbiste kontrollin e levave të pushtetit, duke çuar në korrupsion të përhapur, ndaj kërkoi të konsolidonte pushtetin e tij duke eliminuar të gjithë kundërshtarët.

Kjo e bëri Kinën më të “mbyllur” se kurrë më parë dhe skena u “plotësua” me zhdukjen e ministrave të mbrojtjes dhe të punëve të jashtme.

Netanyahu po ndan shoqërinë izraelite dhe ushtrinë

Friedman vazhdoi më pas te Benjamin Netanyah-u, duke thënë se ai nuk kishte planifikuar që pasi të kishte kaluar pothuajse të gjithë jetën e tij pas “konflikteve” të Izraelit, do të përfundonte duke shkruar se si “armiku brenda është kërcënimi më i madh për demokracinë hebraike sot”. “Është një grusht shteti gjyqësor i udhëhequr nga Netanyahu që po ndan shoqërinë izraelite dhe ushtrinë.”

Ai vazhdon duke thënë se Izraeli është një aleat që sot përfaqëson “kundërpeshën kryesore” për të frenuar përhapjen e fuqisë iraniane në të gjithë rajonin.

Megjithatë, ai paralajmëron se tre vitet e tjera të qeverisë “ekstremiste” të Netanyah-ut, e cila kërkon të aneksojë Bregun Perëndimor dhe të sundojë palestinezët në një mënyrë të ngjashme me regjimin e aparteidit, mund ta bëjnë Izraelin një burim të madh destabiliteti në rajon dhe shumë më tepër, një aleat të pasigurt.

Friedman përfundon duke iu drejtuar Donald Trump-it dhe përpjekjeve të tij për t’u bërë kandidati i Partisë Republikane në zgjedhjet e 2024.

Ai shpjegon se përpjekjet e Trump-it për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme duke frymëzuar një “turmë” për të sulmuar Capitol-in më 6 janar 2021 i bëjnë zgjedhjet pasuese në Amerikë një nga më të rëndësishmet ndonjëherë.

Ai shtoi se ka një emërues të përbashkët që i lidh këta katër liderë, që është se të gjithë kanë thyer rregullat e lojës politike brenda vendeve të tyre.

“Në botë, një kohë kaosi”

Megjithatë, thekson Friedman, ka gjithashtu dallime të rëndësishme midis të katërve, pasi Netanyah-u dhe Trump përballen me rënien e demokracisë dhe asnjëri prej tyre nuk ka nisur një luftë.

Sa i përket presidentit kinez, ai është një “autokrat”, por ai ka një plan për të përmirësuar jetën e njerëzve të tij dhe një plan për të dominuar industritë kryesore të shekullit të 21-të, nga bioteknologjia te inteligjenca artificiale.

Sa i përket Putinit, sipas tij, ai nuk është gjë tjetër veçse një “bos mafioz” i maskuar si president dhe njerëzit do ta kujtojnë atë që e ktheu Rusinë nga një fuqi shkencore, e cila hodhi satelitin e parë në orbitë në 1957, në një vend që nuk mund të prodhojë një makinë ose një orë që dikush jashtë Rusisë do të blinte.

Friedman e përshkruan Trump-in si më të rrezikshmin nga të katër, duke shtuar se ish-presidenti amerikan preferon të injorojë telashet dhe madje të lavdërojë ata që shkaktojnë telashe, përfshirë Putinin.

Në fund të artikullit, ai arrin në përfundimin se ka një emër të thjeshtë për atë që po ndodh në botë: epoka e kaosit. /tesheshi.com/