Presidentja Vjosa Osmani, në kuadër të vizitës zyrtare në Kroaci, është takuar me kryetarin e Parlamentit kroat Gordan Jandrokoviç, të cilin e njoftoi lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë duke vlerësuar lart unitetin e treguar nga Kuvendi i Kosovës në përballjen me agresionin e Serbisë. Ajo ka theksuar se sa i përket sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet nga komuniteti ndërkombëtar për këto veprime.

Në të njëjtën kohë, presidentja Osmani ka theksuar domosdoshmërinë e tërheqjes së trupave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën dhe në këtë kontekst, ka falënderuar NATO-n për dërgimin e trupave shtesë me qëllim të rritjes së sigurisë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Sipas presidentes Osmani, Kosova ka nevojë për mbështetje në këto momente të vështira, ndaj ka theksuar se Kosova llogaritë në përkrahjen e vazhdueshme të Kroacisë në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Bashkimit Evropian, NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe në ballafaqimin me sfida të sigurisë.