Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, zëvendës ndihmës sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.

Në njoftimin e Qeverisë bëhet e ditur se takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë duke filluar nga ora 10:00.

Ndryshe, një ditë para vizitës së diplomatëve perëndimorë, Kurti ka thënë se të shtunën do ta kuptojë kërkesën dhe atë që do të ofrojnë përfaqësuesit euro-amerikanë.

Ai sërish e ka vënë theksin te siguria në vend, pa të cilën ka thënë se s’mund të ketë normalizim raportesh me Serbinë.

“Siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin e shoqërinë. Për këtë ne punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë. Është jetike për Kosovën, për demokracinë, por do të thosha edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi që atë të cilët nuk e kanë ditur ose kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova ajo e cila duhet të këtë masa ndëshkuese por është Serbia ajo së cilës duhet t’i vendosen sanksione”, ka thënë Kurti.

Ndërsa Bashkimi Evropian ka njoftuar se vizita e pesëshes euro-amerikane me Kurtin në Prishtinë dhe Vuçiçin ne Beograd ka për qëllim progresin konkret në zbatimin e marrëveshjes dhe uljen e tensionimit të situatës.