Nga Hasan Bello/

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX-të si shtetet europiane ashtu dhe në Perandorinë Osmane administratorët e qyteteve filluan t`i kushtonin rëndësi gjithnjë e më të madhe ndriçimit të tyre.

Në vitin 1847, periudhë e cila përkon me reformat e Tanzimatit ndriçimi i rrugëve kryesore u sanksinua me ligj. Kjo lidhej jo vetëm me kontrollin dhe sigurinë e qendrave urbane, por mbi të gjitha me emancipimin e popullsisë.

Në këtë kuadër edhe qytetet kryesore shqiptare nuk bënin përjashtim. Ashtu si kudo funksiononte e njëjta teknologji: nga llambat me vaj apo lëndë djegëse e deri te llambat me gaz që importoheshin nga Stambolli dhe shtetet perëndimore. Këto të fundit përdoreshin kryesisht nga administrata në qendrat e vilajeteve (Shkodër, Prizren, Janinë dhe Manastir).

Përpjekjet e para për ndriçimin elektrik të qyteteve shqiptare kanë filluar relativisht herët. Për ta kuptuar më saktë po ndalemi shkurtimisht në kontekstin e kohës. Më 10 qershor 1910, qeveria xhonturke shpalli një tender ndërkombëtar për ndriçimin e lagjeve kryesore të Stambollit. Më 1 nëntor 1910 fitues i këtij tenderi u shpall kompania austro-hungareze “Ganz Electricitats Gesellschaft” me qendër në Budapest.

Në vitin 1911 u krijua “Societe Anonyme Ottomane d’Electricite” dhe konkurrenca për marrjen me konçension të ndriçimit të qyteteve osmane ku bënin pjesë edhe ato shqiptare deri në vitin 1912 erdhi duke u shtuar. Ajo që i pengoi këto zhvillime në fushën e elektricitetit ishin Luftërat Ballkanike, të cilat u zhvilluan kryesisht në territoret shqiptare.

Gjithësesi, përpjekja e parë për marrjen me koncension të ndriçimit të qytetit të Shkodrës, i cili në këtë periudhë ishte qendër e vilajetit me të njëjtin emër do të bëhet nga Esat Pashë Toptani në fund të vitit 1910 dhe në fillim të vitit 1911.

Sipas një relacioni të konsullit austro-hungarez Zambaur, Esat Pasha që në këtë kohë ishte deputet i Durrësit në Parlamentin Osman kishte zhvilluar një vizitë në Shkodër, e cila kishte si qëllim të hetonte dëmet e shkaktuara nga ekspedita e Shefqet Turgut Pashës; të qetësonte katolikët e revoltuar me ndjenja shqiptare etj. Ai i kishte kërkuar valiut të qytetit, Bedri Pashës, lirimin e 24 krerëve të fiseve katolike të Kelmendit.

Një tjetër kërkesë që Esat Pasha i kishte dorëzuar valiut ishte marrja me koncension e ndriçimit të qytetit si dhe të pengonte tentativat e italianëve, për shkak se për këtë qëllim ai po krijonte një konsorcium “thjesht turk” në Stamboll.

Plani i Esat Pashës për krijimin e kësaj kompanie shqiptare, pavarësisht termave që ai përdorte për t`i mbushur mendjen valiut më pas do të shtrihej edhe në Durrës e Tiranë. Kjo për shkak se, në parlament, ai ishte përfaqësues i këtyre zonave.

Ky plan siç e theksuam dështoi me fillimin e Luftërave Ballkanike, gjatë të cilave elektriciteti u përdor në mënyrë të kufizuar në qytetin e Shkodrës për arsye ushtarake. Serbo-malazezët dhe forcat e mbrojtjes së Shkodrës dispononin prozhektorë të fuqishëm, që do t`i ndiznin herë pas here për të ndriçuar pozicionet e njëri-tjetrit.