Nga Associated Press/

Ndërsa palestinezët e dëshpëruar në Gazën e rrethuar po tentojnë të gjejnë strehim pas bombardimeve të pareshtura të Izraelit në hakmarrje të sulmit brutal të Hamasit më 7 tetor, disa pyesin se pse Egjipti dhe Jordania fqinje nuk po i pranojnë palestinezët. Të dy shtetet, që gjenden në anë të kundërta të Izraelit dhe ndajnë kufirin me Gazën dhe me Bregun e pushtuar Perëndimor respektivisht, kanë refuzuar pranimin e refugjatëve. Jordania veçse ka një popullatë të madhe palestineze. Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sissi, bëri komentet më të ashpra më 18 tetor, duke thënë se lufta aktuale nuk synon vetëm luftimin e Hamasit-që udhëheq me Rripin e Gazës-‘por po ashtu është një përpjekje për të shtyrë banorët civilë… që të migrojnë në Egjipt’. Ai paralajmëroi se një gjë e tillë mund të prishë paqen në rajon.

Mbreti i Jordanisë, Abdullah II, dha mesazh të ngjashëm një ditë më parë, duke thënë ‘asnjë refugjat në Jordani, asnjë refugjat në Egjipt’. Refuzimi i tyre i ka rrënjët në frikën se Izraeli dëshiron të kryejë një dëbim të përhershëm të palestinezëve në shtetet e tyre dhe të zhbëjë kërkesat palestineze për shtetësi. El-Sissi po ashtu tha se një eksod masiv do të rrezikonte që militantët të shkonin në gadishullin Sinai të Egjiptit dhe ta përdornin këtë territor për të kryer sulme ndaj Izraelit, duke vënë në rrezik traktatin e paqes që dy shtetet kanë nënshkruar 40 vjet më parë. Në këtë tekst mund të mësoni arsyet se pse Egjipti dhe Jordania po refuzojnë të strehojnë refugjatët nga Rripi i Gazës.

Historia e zhvendosjes

Zhvendosja ka qenë temë kryesore e historisë palestineze. Në luftën e vitit 1948 për krijimin e Izraelit, vlerësohet se 700.000 palestinezë u dëbuan ose u zhvendosën nga territori që tani është Izrael. Palestinezët i referohen kësaj ngjarjeje si Nakba, që në gjuhën arabe do të thotë ‘katastrofë’. Në luftën e Lindjes së Mesme më 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, edhe 300.000 palestinezë të tjerë u zhvendosën, shumica në Jordani.

Refugjatët dhe pasardhësit e tyre tani janë afër 6 milionë dhe shumica jetojnë në kampe dhe komunitete në Bregun Perëndimor, Gazë, Liban, Siri dhe Jordani. Diaspora është përhapur edhe më shumë, pasi shumë refugjatë janë zhvendosur në shtetet e Gjirit Arabik apo në Perëndim. Pasi luftimet u ndërprenë në luftën e vitit 1948, Izraeli refuzoi të lejonte kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre. Që atëherë, Izraeli ka refuzuar kërkesat e palestinezëve për kthimin e refugjatëve si pjesë e një marrëveshjeje të paqes, duke argumentuar se diçka e tillë do të kërcënonte shumicën hebreje të shtetit. Egjipti ka frikë se historia do të përsëritet dhe një numër i madh i refugjatëve palestinezë nga Gaza do të qëndrojnë në këtë shtet në mënyrë të përhershme.

S’ka garanci për rikthim

Kjo është pjesë e kësaj çështjeje pasi nuk ka një skenar të qartë se si kjo luftë do të përfundojë. Izraeli ka thënë se synon të shkatërrojë Hamasin për shkak të sulmeve të grupit në qytetet jugore izraelite. Por, nuk ka dhënë asnjë indikacion se çfarë mund të ndodhë më pas dhe kush do ta qeveriste Gazën. Ky fakt ka rritur shqetësimet se do të ketë një ripushtim të territorit për një periudhë kohore, që do të nxiste konflikt të mëtejmë. Ushtria izraelit ka thënë se palestinezët që respektojnë urdhrin e saj për t’u zhvendosur nga veriu i Gazës për në pjesën jugore të këtij territori, do të lejohen që të kthehen në shtëpitë e tyre pasi lufta të mbarojë.

Por, Egjipti nuk është qetësuar nga kjo deklaratë.

El-Sissi deklaroi se luftimet mund të zgjasin me vite nëse Izraeli argumenton se nuk i ka shtypur mjaftueshëm militantët. Ai ka propozuar që Izraeli të strehojë palestinezët në Shkretëtirën e tij Negev, që gjendet në kufi me Rripin e Gazës, derisa të përfundojnë operacionet ushtarake izraelite.

‘Mungesa e qartësisë nga Izraeli sa i përket synimeve të tij në Gazë dhe evakuimin e popullatës së këtij territori është problematike’, tha Riccardo Fabiani, drejtor për projektin e Afrikës Veriore në Grupin ndërkombëtar të Krizave. ‘Ky konfuzion nxit frikë në rajon’. Egjipti ka kërkuar që Izraeli të lejojë dërgimin e ndihmës humanitare në Gazë dhe të mërkurën Izraeli u pajtua, por nuk tha se kur mund të nisë dërgimi i ndihmave. Sipas Kombeve të Bashkuara, Egjipti-që po përballet me krizë ekonomike-veçse ka pranuar afër 9 milionë refugjatë dhe migrantë, përfshirë edhe afër 300.000 sudanezë që arritën këtë vit në shtet pasi u largua nga lufta në shtetin e tyre. Por, shtetet arabe dhe shumë palestinezë po ashtu dyshojnë se Izraeli mund ta shfrytëzojë këtë mundësi për të bërë ndryshime të përhershme të demografisë, që do të shkatërronin kërkesat palestineze për shtetësi në Gazë, Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor, që po ashtu u pushtua nga Izraeli më 1967.

El-Sissi përsëriti paralajmërimet të mërkurën se një eksod nga Gaza synonte ‘eliminimin e kauzës palestineze… që është kauza më e rëndësishme e rajonit tonë’. Ai argumentoi se nëse një shtet palestinez i çmilitarizuar do të krijohej kohë më parë përmes negociatave, tani nuk do të kishte luftë. ‘I gjithë precedenti historik tregon faktin se kur palestinezët detyrohen të largohen nga territori palestinez, ata nuk lejohen të kthehen’, tha H.A. Hellyer, hulumtues në institutin për Paqe Ndërkombëtare Carnegie Endowment. ‘Egjipti nuk dëshiron të jetë bashkëfajtor në spastrimin etnik në Gazë’. Frika e shteteve arabe është rritur gjatë kohës së qeverisjes së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe partnerëve të tij të koalicionit nga krahu i djathtë, të cilët flasin në terma pozitivë për largimin e palestinezëve. Që nga sulmet e Hamasit, retorika është bërë më pak e frenueshme, me disa politikanë të krahut të djathtë dhe analistë që i kanë bërë thirrje ushtrisë të shkatërrojnë Gazën dhe të dëbojnë banorët e saj. Një ligjvënës ka thënë se Izraeli duhet të kryejë ‘një Nakba të re’ në Gazë.

Shqetësimet për Hamasin

Në të njëjtën kohë, Egjipti ka thënë se një eksod masiv nga Gaza do të sillte në tokën e tij militantët e Hamasit apo të grupeve të tjera militante palestineze. Kjo do të mund të destabilizonte Sinain, ku ushtria e Egjiptit për vite të tëra ka luftuar kundër militantët islamikë dhe po ashtu ka akuzuar Hamasin se i mbështet ata. Egjipti ka mbështetur Izraelin në bllokimin e Gazës që kur Hamasi mori kontrollin e territorit më 2007, duke kontrolluar të gjitha dërgesat e mallrave dhe hyrje/daljen e njerëzve në këtë territorin. Po ashtu ka shkatërruar rrjete të tuneleve nën kufi, që Hamasi dhe palestinezët e tjerë përdornin për të kontrabanduar mallra në Gazë.

Me kryengritjen në Sinai gjerësisht të shtypur, ‘Kajro nuk dëshiron të ketë një problem të ri të sigurisë në këtë rajon problematik’, tha Fabiani. El-Sissi paralajmëroi edhe për një skenar edhe më destabilizues: prishjen e marrëveshjes së paqes Egjipt-Izrael të arritur më 1979. Ai tha se me praninë e militantëve palestinezë, Sinai ‘do të bëhej bazë për nisjen e sulmeve ndaj Izraelit. Izraeli më pas do të kishte të drejtë të mbrojë veten… dhe do të sulmonte territorin e Egjiptit’. ‘Paqja që ne kemi arritur do të zhdukej nga duart tona’, tha ai, duke shtuar se e gjithë kjo do të bëhej ‘vetëm për hir të idesë për eliminimin e kauzës palestineze’.