Është publikuar projektbuxheti i plotë për vitin 2024. Kështu, në dispozicion për vitin e ardhshëm do të jenë 735.9 miliardë lekë. Ministria e Financave thotë se me këtë projektbuxhet mbështeten sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, bujqësia, energjia si dhe infrastruktura. Në total investimet për vitin që vjen kapin shifrën e 1.2 miliardë euro.
Po ashtu në draft është specifikuar që për vitin që vjen do të jepen 77 milionë euro për bonusin e pensioneve dhe për indeksimin e pensioneve. Ndërsa janë parashikuar 110 milionë euro që do të shkojnë për reformën e pagave që parashikon rritjen e rrogave për punonjësit e sistemit shëndetësor, arsimorë, punonjësit me grada dhe nëpunësit e administratës publike. Kjo rritje do të nisë nga 1 korriku i vitit 2024, ndërsa rritja tjetër kësaj kategorie iu bë në prill të këtij viti. Për të vijuar me programin e rindërtimit janë parashikuar fonde në vlerën 70 milionë euro, nga 170 milionë euro që u parashikuan për rindërtimin për vitin 2023.