Nga Albert Nikolla/

Qëndrimi ndaj Veriut të Kosovës shpreh kulturën politike të secilit prej protagonistëve që kanë peshë në zgjidhjen e konfliktit. Rama ka mbajtur, që prej vitit 2013 e deri sot e kësaj dite një qëndrim të njëtrajtshëm për Kosovën duke mbështetur fuqimisht pavarësinë e duke punuar fort me gjithë strukturat diplomatike të Shtetit Shqiptar në funksion të shtimit të njohjeve ndërkombëtare për Republikën e Kosovës. Rasti i fundit i sulmit terrorist serb në Veri të Kosovës ka nxjerrë në një pluskim të trishtë politik ata që bëjnë se kinse e duan Kosovën dhe shfaqen edhe si “rambo” të gatshëm për luftë!

Të duash Kosovën thelbësisht, do të thotë ta duash edhe paqen për të! Rruga e qartë që ka zgjedhur Kosova dhe orientimi i saj Evropian e Perëndimor ka si kusht themelor pranimin e paqes.

Në pak ditë pas sulmit në Veri, një ish-ministër i jashtëm i Partisë Socialiste, me lehtësi prej profeti të rremë shkruan: “as pas 100 vjetësh Serbinë s’mund ta kemi mik”! Nuk e di se me çfarë është marrë në ministri, por të paktën të kishte shfletuar ndonjë doracak historie mbi ecurinë e marrëdhënieve politike mes shteteve protagoniste të Luftës së Dytë Botërore. Vetëm një vit e gjysëm pas kësaj lufte që shkaktoi 55 milionë viktima, vendet evropiane i dhanë jetë Traktateve të Paqes dhe i hapën rrugë asaj ecje që do të çonte drejt Bashkimit Evropian.

Shtysa drejt kundërshtive e mohimit të paqes është mendësi politike e kulturore orientale. “As pas 100 vjetësh nuk do ketë paqe” – gjen frymëzim në politikën e jashtme të ndonjë vendi oriental si Irani, Palestina apo vende të tjera që kanë alergji nga fjala paqe. Sulmi i fundit kundër Izraelit e dëshmon një gjë të tillë! Nuk ka paqe tash 75 vjet në ato vende!
Të njëjtën mendësi luftarake kanë edhe disa politikanë në Kosovë që suksesin e tyre politik e shohin të prejardhur vetëm prej dhunës e konflikteve. Në fakt, më bëri përshtypje shumë mënyra se si e lëvduan me nota patriotike humbjen e jetës së policit shqiptar dhe thuajse askush nga autoritetet nuk i bëri ngushëllime familjes së tij por shprehen vetëm patriotizëm e nder për rënjen në krye të detyrës!

Në deklaratat e publikuara në rrjetet sociale kishte vetëm lëvdata për aktin heroik!

Fakti që ai polic humbi jetën në krye të detyrës është njëmend një akt i heroik e sublim, por është po aq edhe një tragjedi për familjen e fëmijët e tij dhe kjo përmasë e dytë nuk duhet lënë në plan të dytë.

Në të njëjtin “kurth të mendësisë luftarake” duke bërtitur për rezoluta “luftarake”, ka rënë edhe Opozita copa-copa e Shqipërisë. Zhvillimet politike brenda Opozitës sjellin ndërmend karantinën e të verbërve në romanin “Verbëria” të Saramangos!

Në këtë klimë kundërshtish dhe emocionesh pro luftës, qëndrimin e Ramës për shtimin e trupave të KFOR dhe marrjen nën kontroll të Veriut, “luftarakët” përpiqen ta paraqesin si disfatist e të shitur tek Serbia. Mjeranët “luftarakë” ngjajnë më shumë sivëllezër të tyre që ndërkohë që në Kosovë bëhej luftë në vitet 98-99, ata shëtisnin në qytetet evropiane duke mbledhur pará për luftën!

Evropa nuk pranon mendësi orientale lufte! Vetëm me paqe mund të bëhemi pjesë e saj. Thirrjet e Ramës për krijimin e kushteve për shmangien e konfliktit mes Kosovës e Serbisë, “volente-nolente“ për luftarakët, shprehin mendësi e kulturë evropiane!