Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës zyrtare në Kroaci analizoi tensionet e fundit veri të Kosovës dhe vrasjen e efektivit të Policisë së Kosovë, nga një grup serbësh të armatosur. Ai bëri thirrje, që BE-ja të aplikojë masa ndëshkimi dhe sanksione për Serbinë.
Në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, ish-zv.ministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha ka deklaruar se Rama e bëri këtë thirrje në Kroaci, pasi edhe ky shtet ka vuajtur nga Beogradi.
Sipas Berishës, kjo është vazhdimësi e Serbisë dhe e sjelljeve të saj në rajon dhe me popujt të tjerë, sepse ata konsiderojnë që është legjitime dhe kjo hapësirë nga Kroacia e poshtë i takon Serbisë.
“Kroacia është shtet që e ka vuajtur terrorizmin e Serbisë në vite dhe kroatët janë njohës të mirë të mentalitetit serb dhe atë që unë e kam quajtur “çmendurisë së tyre”. Të gjitha këto pamje që ne i shohim, duke përfshirë dhe ‘heroin’ e tyre. Në fakt nuk janë risi, është vazhdimësi e Serbisë dhe e sjelljeve të saj në rajon dhe me popujt të tjerë, sepse ata konsiderojnë që është legjitime dhe kjo hapësirë nga Kroacia e poshtë i takon Serbisë. Kjo marrëzi nuk po hiqet për fat të keq dhe me këtë aksion ra dhe iluzionin i një pjese të politikanëve perëndimor që mendonin se Serbia mund të shmanget prej kësaj logjike dhe mund të shmanget prej relacionin me Rusinë, në mënyrë që ajo të bëhet pjesë e familjes europiane. Por po shihet qartasi se Serbia nuk është në gjendje të kapërcejë veten dhe në qoftë se kryediplomati europian tha që Kosova nuk është duke u sjellë si europiane dhe ka marrë masa. Atëherë kjo sjellje e Serbisë është shumë më e vrazhdë në kontekstin e tanishëm. Është shumë e natyrshme që do të duhet të ndodhë, është marrja e masave ndaj Serbisë dhe mendoj që ato masa do duhet të jenë të padiskutueshme në kuptimin e marrjes. Në mënyrë që Serbia të kuptojë se sjelljet e saj janë unike për momentin në Europë, pasi përjashto Rusinë që e mbështet si një vend europian promovon aksione të tilla terroriste”, tha ai.