Samiti i procesit të Berlinit i cili u organizua për herë të parë jashtë kufijve të Bashkimit Evropian përfundoi më 18 tetor, mirëpo nuk kanë mbaruar me të diskutimet mes shqiptarëve për këtë event ndërkombëtar.

Shqipëria u kthye këtë mes tetori në kryeqendrën evropiane. Rrugët u veshën me flamujt e shteteve anëtare të BE-së, teksa kurioziteti i të huajve si dhe i vetë vendasve për aktivitetet e zhvilluara ishte i madh. Mirëpo, mbajtja e Samitit të Berlinit në vendin tonë i ndan shqiptarët në dy qëndrime.

Disa e vlerësojnë si ngjarje historike që do na hap edhe më shpejt dyert e Evropës, e të tjerë mendojnë se kjo nuk është arritje e Shqipërisë, por ishte koha e BE-së për të shfaqur vëmendje me Ballkanin Perëndimor..

“Kjo ishte një shenjë shumë e mirë për përshpejtimin e integrimit evropian. Ardhja e tyre mendoj se këtë deklaronte”.

“Asgjë nuk do ndryshojë. Pse Samiti do e rregullojë Shqipërinë? Shqipërinë e rregullojnë ata që pritën Samitin… nuk ka rëndësi vendi, se Samiti do bëhet në një vend me radhë”.

“Ishte sukses. 101 vite pa ardhur presidenti francez, ka bërë vaki që të vijnë 27 krerë të botës? Një shenjë e jashtëzakonshme për të ecur para me Bashkimin Evropian”, thanë qytetarët.

E të njëjtit mendim janë thuajse të gjithë për ndikimin pozitiv që sjell Samiti për të përhapur më shumë emrin e Shqipërisë në botë. Mirëpo, mbi të gjitha kërkojnë që vetë shteti shqiptar të shtojë përpjekjet për situatën e brendshme ekonomike…

“Është si puna që unë të të kërkoj borxh ty, por nuk rroj nga ajo që do më japësh. Shpresën duhet të ma jap vetvetja”, tha qytetari.