Rreth 890 milionë euro janë shpenzuar deri më tani nga buxheti i shtetit për procesin e rindërtimit dhe për bonusin e qirasë. Sipas Ministrisë së Financave nëse sigurimi i banesave nga tërmetet do të ishte i zhvilluar, kjo faturë nuk do të ishte kaq e rëndë për buxhetin e shtetit.

“Sigurimi vullnetar i banesave është në nivele shumë të ulëta dhe në pjesën më të madhe i diktuar nga bankat për kreditë hipotekore”.- tha Mete, ministria e Financave.

Aktualisht është mbyllur konsultimi i projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti, që parashikon futjen në skemën e sigurimit të gjitha banesat pavarësisht funksionit të saj, nëse përdoret për të jetuar, për të punuar apo qëllime të tjera.

“Me mbështetjen e Bankës Botërore, po shqyrtojmë opsionet më të mira për zhvillimin e një programi kombëtar për sigurimin nga tërmetet. Por është e rëndësishme që ky sigurim të jetë me kosto të përballueshme për qytetarët dhe të bazohet në standardet më të mira të menaxhimit të rrezikut”.- tha Mete.

Po ashtu po diskutohet edhe një skemë sigurimi për sektorin bujqësor, në mënyrë që në rast katastrofash natyrore fermerët të mos humbasin gjithë mundin.

“Sigurimi i bujqësisë mund të ishte një mjet i rëndësishëm i menaxhimit të rrezikut që ndihmon fermerët të mbrohen nga humbjet financiare për shkak të fatkeqësive natyrore dhe kushteve klimatike”.- u shpreh Mete.

“Është i domosdoshëm konsultimi me qytetarët nëse jemi vërtet të rrezikuar nga katastrofat. Në rastin e bujqësisë e njëjta gjë. Në një takim fermerët na thanë “Ata që erdhën nga sektori i sigurimeve nuk e njihnin bujqësinë fare, dhe as ata nuk e njihnin sistemin e sigurime. Ndaj duhet të konsultohemi mirë”.- tha Shalsi, deputet i PS-së.

Aktualisht nuk është bërë publik sesa është primi i sigurimit që do të paguajnë qytetarët për sigurimin e banesës, ndërsa për sektorin e bujqësisë ende nuk ka një draft të finalizuar se si do të funksionojë skema.