Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani i shoqëruar nga anëtarë të ekipit të ILD-së zhvilloi një tryezë bashkëbisedimi me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, që veprojnë në bashkinë e Lushnjës. Kjo është tryeza e dytë që zhvillohet nën kujdesin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si pjesë e strategjisë së komunikimit të Zyrës së ILD-së, për të paraqitur rolin dhe funksionet e institucionit tek grupet e ndryshme të interesit, aty ku ata jetojnë e veprojnë, edhe jashtë kryeqytetit.

Në fjalën hyrëse, Inspektori i Lartë i Drejtësisë vërejti se ky komunikim direkt me grupe interesi mbi mënyrën se si e shohin rolin e institucionit, eksperiencat apo edhe pritshmëritë nga sistemi i drejtësisë, ndihmon edhe vetë ILD-në në rritjen e eficiencës në punë, transparencën e natyrisht edhe forcon besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë. Pasi paraqiti funksionet e ILD-së, si institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve në vend, Metani dhe ekipi i tij iu përgjigjën pyetjeve të të pranishmëve mbi modalitete të punës së institucionit, sistemin e ankimimit e procedimit disiplinor, por edhe sfidave të sistemit të drejtësisë për të fituar besimin e qytetarëve.

Metani u ndal tek puna e ILD-së për të gjetur balancën e duhur mes interesit të publikut për administrimin e drejtësisë dhe pavarësisë së magjistratëve. “Inspektori i Lartë i Drejtësisë punon fort për të fituar edhe besimin e magjistratëve, përveçse të publikut përmes veprimtarisë së vet. Është shumë e rëndësishme që magjistratët të kuptojnë se procesi i ankimimit, hetimit apo edhe procedimit disiplinor i shërbejnë llogaridhënies por edhe vendosjes e garantimit të standardeve më të mira të drejtësisë, të cilat janë jo vetëm detyrim ligjor, por edhe në raport me pritshmëritë publike, jo thjesht për të zgjidhur “hallin e sotëm”, por për t’i shërbyer sistemit në nivel afatgjatë“, u shpreh Metani. Përfaqësuesit e Prezencës së OSBE-së, Cailean Maclean dhe Luljeta Krasniqi vlerësuan eficiencën e këtij komunikimi të hapur të ILD-së me shoqërinë civile me mbështetjen e Prezencës.

“Qëllimi i OSBE-së në mbështetjen për reformën në drejtësi nuk është vetëm rishikim legjislacioni dhe organizim trajnimesh. Është në fakt edhe mbështetja dhe fuqizimi i procesit të afrimit të sistemit të drejtësisë me publikun, në mënyrë që të rritet besimi i qytetarëve tek gjyqësori. Nuk ka asnjë institucion më qendror për këtë sesa Inspektori i Lartë i Drejtësisë. Ky është institucioni që siguron një sistem drejtësie të besueshëm, kompetent dhe të përgjegjshëm për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Cailean Maclean, shef i departamentit të Sundimit të Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut. Bashkëbisedimi me organizata të shoqërisë civile edhe jashtë Tiranës është pjesë e strategjisë së komunikimit, që Inspektori i Lartë i Drejtësisë e ka nisur më herët, me studentë të degës së drejtësisë në universitete të ndryshme të vendit.