Nga Namir Lapardhaja

Deliret e Don Kishotit të Mançës, i cili u ra më qafë ca mullinjve me erë që iu dukën si përbindësha, s’janë kurrgjë para delirit të Berishës që po merr më qafë Shqipërinë, që i duket lodër kalamajsh për të luajtur kur i teket.

Mbrojtja që po i bën hajdutërive të veta, duke implikuar në këtë mbrojtje haxhiqamilët që e ndjekin, dhe vendosmëria idioteske që e karakterizon këtë mbrojtje, do mahniste çdo psikanalist.

Edhe vetë Zigmund Frojdin, që do jepte jetën ta kishte rast klinik dhe objekt studimi.

Sulmi delirant, sa i turpshëm dhe i neveritshëm, i Berishës ndaj deputetit të CDU-së, Gunther Krichbaum, është vetëm një nga treguesit e delirit të skajshëm, ku ai është i fundosur që kur ka lindur.

Deliri i tij është një delir gjithpërfshirës i qenies së tij, i të gjitha niveleve të tij, të gjitha rasteve, të gjitha episodeve, përvojave, të jetës së tij.

Deliranti i lindur gjatë gjithë jetës së tij nuk ka bërë asgjë tjetër përpos se ka shpalosur delirin e tij gjithpërfshirës.

Deliri me pasoja katastrofike ndaj krejt vendit të tij, ku arriti të imponohet, është diçka që meriton të studiohet në favor të njerëzimit për të mos u përsëritur tjetër herë në të tjera vende.

Sali Deliranti ka humbur, tashmë, çdo lidhje me realitetin.
Në vend që të shohë barrakën që i ka rënë mbi kokë, del orë e çast nëpër konferenca shtypi, duke mos lënë grua e burrë pa përgojuar, apo duke udhëzuar se si të veprojë SPAK-u, çfarë duhet të bëjë CDU-ja gjermane, si duhet të ruhet Rama nga revolucioni, anipse në zgjedhjet e fundit vendore në Kukës, Rama e varrosi ofertën e tij njëqind me zero.

Për ndëshkimin penal të tij dhe të familjarëve të tij, nuk ia ka fajin Edi Rama, sepse ai kurrë nuk do hapte një precedent të tillë për veten e vet. As Lulzim Basha, për shkak të marrëdhënieve njerëzore që ka pasur me të dhe fëmijët e tij, i cili jo vetëm i doli borxhit në kohën e duhur, por edhe sot, pavarësisht se të gjithë po ia kërkojnë, ka zgjedhur ta kalojë në heshtje. Madje, as A. Dumani dhe as A. Kraja, E. Millonai etj. prokurorë të SPAK-ut, të cilët nuk do kishin mundësi asnjëherë për të mbajtur mbi shpatullat e tyre të pasprovuara furtunën e baltës së narrativës mashtruese delirante të tij.

Askush tjetër përveç vetes dhe delirit të tij, që i ka pushtuar çdo qelizë të trurit dhe të trupit, nuk ia ka fajin.

Më kot lodhet të ruajë nderin e vet inekzistent, që nuk e ka pasur kurrë.

Sali Berisha është i rrallë sa i përket rënies në delir të plotë. Por është më se banal sa i përket ngjajshmërisë me mijëra raste liderësh mediokër që janë dënuar me harrim.

Ata që duan sot ta pavdekësojnë, në fakt, janë larva salikulliste që po lodhen të mos u dali zero bilanci i vetes. Të tillët janë thjesht qënie të mjera me vlerë hiç që s’do bëhen kurrë diç.

Me veprimet që ka bërë përgjatë dy viteve dhe që po vijon të bëjë dhe sot, bie përfundimisht edhe miti i tij, përhapur nga servilët e paguar që i rrinë rrotull, si një politikan inteligjent apo i mprehtë.

Gjuha e tij e stërkonsumuar dhe hazërzhevapi i tij i dalë boje, nuk kanë absolutisht asgjë të përbashkët me elokuencën e vërtetë politike, por, më së shumti, sidomos së fundmi, i ngjajnë gjuhës së rrugaçëve të kafeneve të periferisë urbane.

E vetmja gjë që i ka ngelur sot është energjia e tij. Edhe ajo falë vendlindjes, bjeshkëve. Që edhe atë e ka shpenzuar kot, veçse për prapësira, pa asnjë rezultat të qenësishëm, të qëndrueshëm.

Tashmë partinë e tij e mund me lehtësinë më të madhe, jo Edi Rama, se ai mund të tregohet edhe pak i mëshirëshëm, por edhe Taulant Balla, i cili, në gjurmët e partizanit Meçe, po i ra në dorë pushteti, do nisi t’u lidhë pionierëve shall të kuq në qafë.

Sali Berisha nuk është, dhe kurrë nuk ka qenë, asgjë tjetër përpos një delirant i pashërueshëm, një skarcitet biologjik.