Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka kryesuar takimin e posaçëm të formatit Arria të Këshillit të Sigurimit, ku me ftesën e Shqipërisë, Kosova përmes Presidentes Vjosa Osmani ka mbajtur fjalën në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë.
Ministri Hasani theksoi se dhuna seksuale e lidhur me konfliktin është një krim lufte dhe mbetet një sfidë thelbësore e sigurisë globale, teksa nënvizoi se bota mund të mësojë shumë nga Kosova lidhur me këtë çështje.
“Dhuna seksuale vazhdon të përdoret si një taktikë lufte dhe terrori. Mosndëshkimi përjetëson kulturën e dhunës dhe minon përpjekjet për ta çrrënjosur atë. Duhet të dëgjohet zëri i mbi 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara gjatë konfliktit në Kosovë. Viktimave dhe të mbijetuarve nuk duhet t’u mohohet drejtësia. Duhet të ndërmarrim hapa konkretë për parandalimin e dhunës. Të sigurohet mbrojtja e individëve, ndëshkimi i autorëve dhe dëmshpërblimi i viktimave. Angazhimi i Shqipërisë në këtë drejtim mbetet i palëkundur”, tha ai.
Kryediplomati shqiptar në fjalën e tij, gjithashtu u ndal tek vajzat e gratë e rrëmbyera nga terroristët e Hamasit, të cilat po mbahen diku në Gaza në kushte të tmerrshme.
“Ne bëjmë thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm dhe pa kushte”, tha ministri Hasani.
Në takimin për “Parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës seksuale të shkaktuar nga konfliktet”, Presidentja Vjosa Osmani foli për eksperiencën e Kosovës lidhur me këtë rast teksa vuri theksin në rëndësinë e llogaridhënies.
“Autorët e këtyre krimeve nuk njohin kufij. Ata nuk ndalen para asgjëje. Ata shkatërrojnë jetën. Ata nuk duan të shkatërrojnë vetëm kombe apo vende. Ata duan të shkatërrojnë besimin tonë në njerëzimin. Ata duan të dehumanizojnë njerëzit”, tha ajo.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe përfaqësuese nga Bosnje dhe Hercegovina apo Ukraina, të cilët sollën eksperiencat e tyre të dhimbshme por njëherësh edhe përvojat për ndërtimin e modeleve në mbrojtje të viktimave të dhunës.