Ndonëse nuk janë në rrugë duke protestuar përpara Ministrisë së Arsimit, bojkoti i studentëve të mjekësisë vazhdon. Ata kanë bllokuar hyrjen për në fakultet jo vetë për studentët e mjekësisë por edhe për pedagogët dhe studentë të degëve të tjera si farmaci, stomatologji e të tjerë. “Kjo është mënyra jonë. Protestën do ta përshkallëzojmë. Jemi në pritje të depozitimit të padisë në Gjykatë Kushtetuese. Ne do të vazhdojmë bojkotin. Nuk kemi asnjë përgjigje deri tani jemi në pritje”- tha një student. Ndërkohë Ministria e Arsimit insiston tek ligji i miratuar nga Kuvendi që mjekët pas përfundimit të studimeve të shërbejnë në vendin e tyre.

“Studentët kanë të drejtën e tyre për të protestuar, por Ligji është ligj i miratuar në kuvendin e Shqipërisë që synon të sigurojë ofrimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri”- tha Zamira Gjini, drejtore politikave në Ministrinë e Arsimit.
Studentët e mjekësisë besojnë që pasi të depozitojnë padinë në Gjykatën Kushtetuese do të ketë një vendim në favor të tyre, pra shfuqizim të ligjit pasi e konsiderojnë shkelje, detyrimin që përcakton ky ligJ.