Policia e Kosovës është duke zhvilluar një operacion policor në veri, i cili lidhet me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrimi Bunjaku. Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani. “Jemi në operacion policor, i cili lidhet me sulmin në Banjskë”, tha shkurtimisht ai. Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terroristësh më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrimi Bunjaku.
Pas sulmit ndaj Policisë, rreth 30 serbë, të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në manastirin në Banjskë për disa orë, atyre iu kërkua nga Policia e Kosovës që të dorëzoheshin, por ata refuzuan të bëjnë një veprim të tillë ku edhe vazhduan sulmet me armë ndaj policisë, nga gjuajtjet me armë mbetën të vrarë tre sulmues.
Policia ka konfiskuar një sasi të madhe armatimit, municionit, veturave dhe disa mjete tjera ushtarake gjatë hetimeve në atë zonë. Autoritet kosovare po ashtu siguruan dëshmi se organizator i sulmit terroristë ka qenë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç. Radoiçiç edhe publikisht ka pranuar se ka organizuar sulmin në veri. Institucionet në Kosovë kanë kërkuar nga Serbia që ta bëjnë ekstradimin e tij, ndërsa Prokuroria ka bastisur pronat e tij në Kosovë, ku edhe ka konfiskuar vetura e pasuri tjera materiale.
Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar edhe tre sulmues të cilët gjenden në masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar nga Serbia që mos të nxis konflikte mes dy shteteve.