Deputetët e opozitës u përfshinë në debate gjatë takimit në ambientet e kryesisë së Kuvendit. Burime brenda mbledhjes bëjnë me dije se deputeti Dashnor Sula hodhi idenë e krijimit të një Partie të re, duke i vendosur emrin e Partisë Demokratike të Rithemeluar.
Në këtë mënyrë sipas tij do mundësohet që kjo forcë politike të mos humbë më vota për shkak të logos dhe vulës, të cilët ‘de juro’ i takojnë Lulzim Bashës. Por Sali Berisha mësohet të jetë shprehur se beteja duhet të fokusohet tek padrejtësia që po u bëhet demokratëve, sipas tij është e lehtë të krijohet një emër dhe një logo e re.
Sipas tij, çdo gjë po bëhet siç do Edi Rama dhe se beteja duhet të jetë për të mbrojtur opozitarizmin në vend. Nga ana tjetër, deputetët demokratë, Agron Gjekmarkaj dhe Ervin Salianji janë shprehur se mbledhjet e grupit të deputetëve të opozitës nuk po krijojnë asgjë, madje po bien në rutinë.
“Kjo tryezë po bëhet monotone, sepse nuk po fermenton politike, nuk merr në diskutim temat që çojnë drejt zgjidhjes, nuk po përballet me vetveten. Nuk po i bën ende propozimet e duhura Shqipërisë, demokratëve dhe shoqërisë”, – ka thënë Gjekmarkaj.
Ervin Salianji mësohet të ketë hedhur idenë e zhvillimit të mbledhjeve të ardhshme me synim si të ribëhet opozita.
“Ne përpara se të thërrasim protesta, duhet të japim një zgjidhje politike situatës ku jemi. Që në protestë, jo disa të jenë organizatorë dhe disa spektatorë. Personalisht nuk jam dakord me narrativen politike që Rama i vjedh zgjedhjet çfarëdo të bëjmë ne, mendoj se ne e mundim dhe e tejkalojmë Ramën nëse gjejmë zgjidhje politike për situatën ku jemi dhe zgjerohemi duke u hapur realisht! Ne mundemi ta tejkalojmë Edi Ramën, shoqëria, qytetarët kanë pakënaqësi masive ndaj qeverisë, e ndjej këtë në çdo takim dhe kudo ku eci! Është përgjegjësia jonë ta mundim duke gjetur zgjidhje jo duke u qarë! Kërkoj që të bëjmë një mbledhje të veçantë për të diskutuar vetëm për ribërjen e opozitës”, – mësohet të jetë shprehur Salianji.
DEBATET MES DEPUTETËVE TË OPOZITËS:
Dashnor Sula: Ne jemi mbledhur disa herë në takime të grupit parlamentar, por tashmë ka ardhur koha të flasim për zgjidhje politike të Partisë Demokratike, në mënyrë që të jemi gati për zgjedhjet e 2025-ës. Edi Ramës i intereson të jetë kjo situatë në PD. Basha sot ka vulën nga gjykata dhe ne nuk mund të qëndrojmë kështu, pasi do të përsërisim veten, si në 6 mars, apo zgjedhjet e 14 majit. Nëse do të vazhdojmë të presim gjykatën, mund të ndodhe, siç ndodhi, që u dha vendimi 1 muaj para zgjedhjeve dhe humbëm komisionerët, logon, vulën.
Sepse de jure, PD është Basha, edhe pse s’ka anëtarësinë me veten, ka një pakicë, ndërkohë që ne vetë duhet të kthehemi në një parti de juro, që të njihemi institucionalisht nga KQZ, parlamenti etj. De facto patjetër qe ne jemi Partia Demokratike, jemi shumicën e anëtarësisë, kemi shumicën në Grupin Parlamentar. Unë propozoj, se nuk është fundi i botës, aq më tepër që kemi anëtarësinë me vete, që të krijojmë një parti të re, Partine Demokratike të Rithemeluar. Vetëm kështu mundemi të jemi një alternative serioze dhe të ngjallim besimin tek demokratët.
Sali Berisha: Nuk është vështirë të gjejmë emër apo të bëjmë logo. Problemi është se po i nënshtrohemi një padrejtësie. Një njeri që nuk ka lenë padrejtësi pa bërë ndaj nesh. Çdo gjë vendoset siç e do Edi Rama. Nuk të le. Çfarë kërkon? Të zgjidhim problemet tona padyshim, por ama të përpiqemi të motivojmë njerëzit për të mbrojtur opozitarizmin dhe të drejtat.
Ramadan Lika: Z. Berisha, ju keni 32 vite në politike, ju keni detyrimin ta zgjidhni ketë situatë politike që ka mbytur PD-në. Ne kështu siç jemi po luajmë siç kërkon Edi Rama. Nuk mund të vazhdojë kështu. Ne jemi deputetë që mbështesim Gazment Bardhin, ndërsa ju, mbështesin Sali Berishën. Duhet që ju të dy, të uleni kokë më kokë dhe të gjeni një zgjidhje politike për situatën.
Xhelal Mziu: Jemi kthyer në një strukturë politike ku logo e PD është marrë peng dhe më keq se në kohën e diktaturës çdo ditë përjashtohen kolegë nga PD si rasti i fundit të Gaz Bardhit. Jemi në një presion ndërkombëtar dhe nga zoti Berisha, i shpallur me pa të drejtë ose për shkak të lobimit të Ramës. Sapo vijmë nga një humbje e thellë e 14 majit por e kulmuar dhe nga humbja e Kukësit.
Në këto kushte situata në terren është e papranueshme, u ka ik shpresa, po largohen ose po konvertohen për bukën e gojës. Ndaj në këto kushte duhet një zgjidhje radikale , duhet një organizim deri në bazë, duhet hap rrugë personaliteteve publike brenda dhe jashtë vendit. Duhet të ngujohemi me ditë për të gjetur zgjidhje, sepse në terren nuk ke kë takon..
Rol jo të pakët ka Berisha si person influent për të gjetur zgjidhje që PD dhe opozita të kthehen në një forcë shpresëdhënëse dhe fituese. Siç thekson dhe Tigri, nuk jam unë delja e zezë, por koka e zezë e tufës, pra Rama. Ne duhet të krijojmë strategjinë, gjithëpërfshirjen, duhet të largojmë frikën, duhet të shpalosim platformën e një force politike që jep shpresë për shqiptarët që janë në vend dhe për emigrantët. Në këtë kontekst Berisha duhet të gjej një zgjidhje…
Kuptohet dhe PD vetë ka potenciale për të dalë nga ky ngërç ku jemi futur. Nuk mundet të rrojmë duke u qar, por të përballemi…
Edi Paloka: Kërkoj që bashkimin e grupit ta shtrijmë dhe në baze. Te fillojmë bashkërisht takimet me demokratet ne baze dhe qytetaret, sepse jemi shkëputur këto kohe.
Agron Gjekmarkaj: Ne kur kemi vendosur te ulemi në ketë tavoline përballe njeritjetrit e kemi vënë llogari që të përballemi për idetë tona. Unë personalisht marr kostot e mia për idetë e mia, pra mbaj përgjegjësi. Unë mendoj që mbledhja e parë e përbashkët e opozitës ishte një ngjarje politike që e rriti entuziazmin tek mbështetësit e PD. Sot është mbledhja e disatë dhe nuk më duket që efekti i kartolinës është i njëjtë, pra nuk është e njëjta gjendje surprize pozitive. Këto mbledhje po hyjnë në rutinë! Po rutina është ushqimi i përditshëm i politikes, por nuk mjafton. Ne po përfshihemi në ngjarje që pushteti na fut dhe përdorim ligjërimin e kushtëzuar nga ata. Ne përditë na jepet një ngjarje dhe ndjekim atë ne një hulli te përcaktuar. Psh, një është përjashtimi i Gaz Bardhit nga “zona e vulës”. Dy është përjashtimi nga Kuvendi i 8 deputeteve. Meraku im është se ne nuk po prodhojmë me ngjarjet tona, për ta nxjerre nga apatia shoqërinë, ne raport me ne, pse jo për ta shqetësuar qeverinë me to, ku një here te vetme t’ia caktojmë në axhendën asaj (qeverisë). Nuk po ndodh kjo. Kjo tryezë po behet monotone sepse nuk po fermenton politike, nuk merr në diskutim temat qe çojnë drejt zgjidhjes, nuk po përballet me vetveten. Nuk po i bën ende propozimet e duhura Shqipërisë demokrateve dhe shoqërisë.
Ervin Salianji: Është e domosdoshme qe ne te ndryshojmë dhe të ribëhemi, rikonceptohemi dhe madje mos kemi asnjë tabu për t’u transformuar. Shoqëria ka nevoje që ne të ndryshojmë dhe ne duhet t’i përgjigjemi kësaj nevoje, para se të bëjmë diskutimin e protestave dhe reagimeve duhet te ndryshojmë. Ndryshimi duhet të ngjallë shpresën e domosdoshme dhe të frymëzojë qytetarët. Ne përpara se te thërrasim protesta, duhet të japim një zgjidhje politike situatës ku jemi. Që në protestë, jo disa të jenë organizator dhe disa spektator.
Personalisht nuk jam dakord me narrativen politike që Rama i vjedh zgjedhjet çfarëdo të bëjmë ne, mendoj se ne e mundim dhe e tejkalojmë Ramen nëse gjejmë zgjidhje politike për situatën ku jemi, dhe zgjerohemi duke u hapur realisht! Ne mundemi ta tejkalojmë Edi Ramën, shoqëria, qytetaret kanë pakënaqësi masive ndaj qeverise, e ndjej këtë ne çdo takim dhe kudo ku eci! Është përgjegjësia jone ta mundim duke gjetur zgjidhje jo duke u qare! Kërkoj qe te bëjmë një mbledhje te veçante për te diskutuar vetëm për ribërjen e opozitës.