Një 18-vjeçar është arrestuar në Vlorë në kuadër të megaoperacionit ‘Tempulli’. Në pranga ka rënë Aleksandro Simoni, i cili shiste kanabis në afërsi të shkollave në qytetin e Vlorës. I riu, po ashtu kryente vjedhje edhe nëpër dyqane me pajisje elektronike.

Në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, 1 mjet prerës (thikë), si dhe dhjetëra pajisje elektronike (laptopë dhe celularë), të cilat dyshohet se i ka vjedhur më parë, në dyqane të ndryshme, në qytet.

Po ashtu, është vënë në hetim një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti sende të tjera të dyshuara të vjedhura nga 18-vjeçari i arrestuar, një sasi fishekësh luftarak si dhe një përforcues grushti.

Procedimi në gjendje të lirë nisi edhe për shtetasit K. D., 25 vjeç dhe R. B., 21 vjeç, pasi bashkë me 17-vjeçarin, kanë qenë në dijeni të veprimtarive kriminale të shtetasit A.S., por nuk kanë kallëzuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.