Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen në konferencën përmbyllëse të procesit të Samitit të Berlinit në Tiranë, vlerësoi Shqipërinë për organizimin duke u shprehur se ka zhgënjyer ata që shpreheshin se ishte e vështirë t’i besoheshin vendit tonë punimet e Samitit.

Shefja e KE-së më tej bëri me dije se ajo çka u diskutua mes liderëve të unionit dhe krerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor në Samit, ishte plani i ri për zgjerimin që lidhet fort me shkrirjen e ekonomisë së BE-së me atë të rajonit.

Sipas von der Leyen kjo duhet të nisë me hapjen e tregjeve të vendeve të rajonit përkundrejt njëra-tjetrës, çka do të rriste GDP e Ballkanit Perëndimor me 10%.

“Pavarësisht këtij optimizmi mbetet shumë për t’u bërë. Duhet t’u japim ritëm reformave të BE. Të rrisim dhe të dyfishojmë potencialin dhe ekonominë për Ballkanin Perëndimor. Duhet të afrojmë ekonomitë tona dhe të nxitojmë reformat për zgjerimin. Plani i ri ka potencialin e zgjerimit të ekonomisë së Ballkanit.

Pika e parë e planit është të fusim Ballkanin në tregun e përbashkët. Ballkani Perëndimor duhet të plotësojë tregun e përbashkët rajonal, që do të rriste GPB e tyre me 10%. Duhet që vendet e Ballkanit Perëndimor të hapen fillimisht ndaj njëri-tjetrit dhe të hapen plotësisht sa i përket ekonomisë”, tha Ursula Von der Leyen.

Por presidentja e KE u kujdes që të vendoste një vijë të kuqe për vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket mënyrës si do të thithin investimet dhe përfitojnë nga fondi prej 6 miliardë euro i Bashkimit Europian.

Sipas von der Leyen pa u kryer reformat e kërkuara, “thesit” të BE-së nuk do t’i hapet gryka.

“Pika e tretë është financimi. Financimi është i rëndësishëm dhe do të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër anëtarësimit dhe do ta bëjë Ballkanin Perëndimor më atraktiv për investitorët europianë. Ekonomitë e Ballkanit Perëndirmor janë sa 35% e mesatares së BE-së. Pika e katër e planit është se nëse reformat kryhen si duhet atyre do t’u bashkëngjitet një paketë prej 6 miliardë euro investime, të financuara nga Fondi Europian. Ka funksionuar mirë në Europë deri tani dhe besoj se do të funksionojë po aq mirë edhe në Ballkan. Nëse kryeni reformat dhe avanconi do të lirohen fondet”, tha Ursula Von der Leyen.