Transfertat e brendshme bankare në monedhën Euro janë në rritje të fortë për këtë vit.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tetë muajt e parë të këtij viti nëpërmjet sistemit të pagesave AIPS Euro janë kryer gjithsej më shumë se 154 mijë transferta kombëtare në Euro.

Kjo shifër është shumë afër numrit total të veprimeve që u kryen gjatë gjithsej vitit 2022, kur në pak më shumë se 11 muaj (nisi punën në 24 janar 2022) AIPS Euro procesoi gjithsej 156 mijë transaksione të brendshme në monedhën europiane.

Nëse vitin e kaluar u kryen mesatarisht rreth 14 mijë transferta kombëtare në euro çdo muaj, për 8-mujorin 2023 numri mesatar mujor i transaksioneve ka arritur në më shumë se 19 mijë.

Rritja është e ndjeshme edhe në vlerën e transaksioneve. Këtë vit, vlera mesatare mujore e transaksioneve ka arritur pothuajse 319 milionë euro, nga afërsisht 298 milionë euro

Ndër të tjera, të dhënat e transfertave të procesuara në sistemin AIPS Euro janë një indikacion edhe për nivelin e lartë të përdorimit të Euros në transaksionet e brendshme ekonomike dhe tregojnë shkallën e lartë të euroizimit të ekonomisë shqiptare.

Para ngritjes së sistemit AIPS Euro, transfertat kombëtare në Euro mund të bëheshin vetëm nëpërmjet përdorimit të llogarive që bankat shqiptare kanë në banka korrespondente jashtë vendit. Kjo rrugë krijonte vonesa në kohë dhe, mbi të gjitha, kosto shumë më të larta krahasuar me transfertat në lekë. Me sistemin e ri AIPS Euro, Banka e Shqipërisë përcaktoi edhe vlera tavan që bankat tregtare për komisionet që ato mund t’iu ngarkojnë klientëve të tyre.

Për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, me vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jenë më i lartë se 0.2% e vlerës së transferuar dhe komisioni dysheme nuk mund të jetë më i lartë se 6 euro.

Për pagesat që janë të iniciuara në formë elektronike, totali i komisioneve të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e totalit të komisioneve të aplikuara për çdo pagesë të iniciuar në formë jo elektronike. Kjo do të thotë zbatimin e totalit të komisioneve dysheme të lartë se 3 euro, totalit të komisioneve jo më të lartë se 0.1% e vlerës së transferuar për vlerë më të vogël ose të barabartë me 10 mijë euro.

Në total, për pagesat në nisje të urdhëruara nga klientë të pjesëmarrësve dhe që transferohen nëpërmjet sistemit AIPS Euro, totali i komisioneve maksimum të aplikuara nga pjesëmarrësi origjinues për çdo urdhërpagesë, nuk duhet të jetë më i lartë se 50 euro, pavarësisht nga shuma. Për transfertat e kryera përmes këtij sistemi nuk aplikohen komisione për fondet në mbërritje.

Veç uljes së kostove, ky projekt vlerësohet të ketë sjellë efekte pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike në Euro nga ana e bankave dhe promovimit të pagesave elektronike edhe në këtë segment të tregut, duke nxitur qytetarët shqiptarë drejt përdorimit të këtyre instrumenteve. Në të shkuarën, komisionet e larta bënin që shumë shpesh klientët e sektorit bankar t’i zhvendosnin fondet nga njëra bankë tek tjetra nëpërmjet tërheqjeve dhe derdhjeve cash në arkë.

Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, sistemi AIPS Euro i kursen ekonomisë shqiptare afërsisht 10 milionë euro në vit. /Monitor/