Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një vizitë në Uashington, ku u takua me kongresmenët Ritchie Torres dhe Elissa Slotkin, si dhe me përfaqësues të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI). Veliaj mori pjesë edhe në samitin vjetor të kryebashkiakëve nga “Bloomberg Initiative”, në të cilën bën pjesë edhe Tirana.
Samiti është një mundësi për të diskutuar çështjet e inovacionit urban dhe për të ndarë eksperiencën e transformimit të Tiranës. Nga atje, Veliaj tha se Tirana është padyshim një nga shembujt më të suksesshëm, që mbështetet me grante nga Fondacioni “Bloomberg”.
“Është gjithmonë kënaqësi që Tirana përfaqësohet në takimin vjetor të qyteteve nga Bloomberg. Tirana ka qenë pjesë e kohortës së parë të qyteteve që, me ish kryetarin e Bashkisë, Michael Bloomberg, është përfshirë në një sërë transformimesh, ndërsa sot, që jemi në vitin tonë të 8-të, Tirana është padyshim një nga shembujt më të suksesshëm, që mbështetet me grante nga Fondacioni “Bloomberg”, dhe po ilustron se si me pak fonde, por me shumë kreativitet, mund të transformojmë qytetin. Vitin tjetër Tirana do të ketë Presidencën e B-40, që është rrjeti më i madh i qyteteve të Ballkanit, nga Stambolli në Ljubjanë. Kjo do të jetë një mundësi fantastike që, siç bëmë me vitin e Rinisë dhe të Sportit, në vitin ku ne marrim Presidencën e B-40, të kemi mundësi që shumë prej inovacioneve, risive dhe shumë transformimeve të Tiranës, t’i tregojmë dhe t’i ndajmë edhe me qytetet e tjera”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se në këtë kohë ku po jetojmë, fqinjësia e mirë ka një rëndësi tejet të veçantë. “Po ndodhin vërtet ngjarje të jashtëzakonshme sot. Në Europë ka një luftë në Ukrainë, sulme terroriste mbi Izraelin, dhe shumë prej reagimeve të qyteteve janë domethënëse, në një botë ku vërtet po duhet më shumë fqinjësi e mirë, po duhet më shumë kontakt. Sot bëhet fjalë jo për disa palë që luftojnë, por bëhet fjalë për sulme terroriste, ose të Rusisë, që përfaqësojnë të ligën, dhe qytetet që janë ndërtuar rreth së mirës, së drejtës, edhe bashkëjetesës”, përfundoi ai.