Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi. Vendimi është dhënë në seancën gjyqësore të mbajtur ditën e sotme, në një seancë e cila nisi në mesditë, por më pas vendimi u shty për shkak të kërkesës së mbrojtjes që të njihej me dosjen.
SPAK e akuzon për korrupsion dhe pastrim parash, mirëpo vetë Malltezi ka mohuar akuzat dhe ka pretenduar se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore. Nga ana tjetër, sipas avokatëve mbrojtës në veprimet e Malltezit nuk ka vepër penale.
Megjithatë, përtej pretendimeve të të akuzuarve, GJKKO la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Jamarbër Malltezin dhe “detyrim paraqitje” për ortakun e tij, ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Ditën e nesërme, pritet të dalë para trupës gjykuese ish-kryeministri Sali Berisha. Aktualisht Sali Berisha është nën masën detyrim paraqitje dhe nuk mund të largohet nga vendi në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Sipas SPAK, ish-kryeministri me veprime konkrete ka ndikuar në miratimin e ligjeve apo akteve nënligjore të cilat u përshtatën me kërkesat e 5 pronarëve, mes të cilëve përfitues ishte dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.