Leksioni i mësuar pas sulmit terrorist të 24 shtatorit nga grupi paramilitar në krye me kriminelin serb në arrati, Millan Radoiçiç, ndaj shtetit të Kosovës është se Bashkimi Evropian (BE) duhet ta rimendojë filozofinë e vet ndërmjetësuese në procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) duhet ta rrisë prezencën në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, thotë Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE), Viola Von Cramon.

“BE-ja duhet të rivlerësojë strategjinë e përgjithshme në dialogun Serbi-Kosovë dhe të përfshijë më shumë shtetet anëtare kyçe në presionin ndaj palëve për të përmbushur angazhimet e tyre të dialogut”, thotë ajo për Albanian Post, derisa shton se “kemi nevojë për një përforcim të menjëhershëm të KFOR-it pasi vetëm prania e fortë e trupave të NATO-s në terren mund të garantojë sigurinë për të gjithë”.

Von Cramon me përgjigjet e saj thekson faktin se ekziston një konsensus në mesin e grupeve të ndryshme politike në PE lidhur me alternimin e tensionit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Sulmi ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur rëndë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me serbë etnikë – paralajmëron ajo, mund të ketë prodhuar shtresa të reja në një atmosferë që veçse ishte mjaftueshëm e komplikuar.

Ajo thotë se pavarësisht dallimeve dhe grupacioneve të ndryshme politike, eurodeputetët ndajnë të njëjtin shqetësim të thellë: sulmi i 24 shtatorit në fshatin Banjë ku për pasojë një rreshter i Policisë së Kosovës ka humbur jetën, do të mund të shkaktonte përshkallëzim të mëtejmë të situatës, nëse do realizohej ashtu sic ishte planifikuar nga terroristët serbë me mbështetjen e Serbisë.

Von Cramon që pati vizituar pjesën veriore të Kosovës në kohën kur ekzekutivi kosovar vendosi të dërgojë krytarët shqiptarë në objektet komunale pas zgjedhjeve me pjesëmarrje minimale, nuk është e befasuar me sulmin, por me shkallën e tij.

“Për ne që e kemi ndjekur nga afër situatën në veri të Kosovës, sulmi nuk është befasi e madhe pasi situata e sigurisë ka qenë e brishtë që nga nëntori i vitit të kaluar kur serbët lokalë u larguan nga institucionet, përfshirë policinë. Megjithatë, ajo që është e re është niveli i gatishmërisë së grupit kriminal të drejtuar nga Millan Radoiçiç dhe pikërisht këtu autoritetet serbe duhet të japin shpjegime se kush, kur dhe si e ka ndihmuar Radoiçiçin”.

Njeriu që ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist është ndaluar të martën në Beograd nën dyshimet se bashkë me disa persona kanë kryer veprat penale: “prodhim, mbajtje dhe trafikim i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese të fuqisë shkatërruese” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, megjithëse autoritetet kosovare kanë vlerësuar se arrestimi i tij është farsë dhe ka për qëllim shfajësimin e Serbisë.

Qeveria e Kosovës ka prezantuar materiale që implikojnë shtetin serb në sulmin e armatosur ndaj organeve të rendit, ku përveç video-pamjeve të shkëputura nga dronët e konfiskuar dhe dëshmive që grupi për një kohë është stërvitur në Serbi, në mesin e provave janë edhe formularë të lëshuar nga ushtria serbe për një numër armësh që i janë dhënë në shfrytëzim grupit kriminal të Radojiçiç-it për sulmin e organizuar ndaj Kosovës.

Në anën tjetër, raundi i fundit i negociatave diplomatike nën kujdesin e BE-së në Bruksel ka përfunduar me pozicione të acaruara. Dhe, derisa diplomatët evropianë po e humbin gradualisht kontrollin, konflikti mes Kosovës dhe Serbisë ka potencial të arrijë pikë e tij kulmore.

Prandaj eurodeputetja gjermane nga radhët e “Aleancës 90/Të Gjelbërve” vlerëson ndër të tjera se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) duhet të përforcohet menjëherë, duke marrë për bazë edhe paralajmërimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) se pas ngjarjeve në Banjë është vërejtur një ‘grumbullim i paprecedent’ i ushtrisë serbe përgjatë kufirit me Kosovën, duke ngritur shqetësimin për sigurinë dhe stabilitetin rajonal”.

Anëtarët e PE-së kanë zhvilluar të martën një debat për rrjedhën e tensionuar të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku shumica prej tyre kanë drejtuar gishtin kah presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili është mbajtur përgjegjës për përshkallëzimin e fundit të situatës në terren, megjithëse, në sytë e tyre, kjo nuk e ka zhveshur nga përgjegjësia as kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili është akuzuar për ngecjen e dialogut.

Në debat kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e presidencës spanjolle të Këshillit Evropian (KE), derisa Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç, ka folur në emër të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, për shkak të pamundësisë së tij për të qenë prezent, ku ndër të tjera ka thënë se situata në Kosovë është skajshmërisht serioze, derisa ka kërkuar që kryesit e sulmit terrorist Veriun e Kosovës të vihen para drejtësisë.