Në selinë e Parlamentit Evropian sot do zhvillohet debat i jashtëzakonshëm lidhur me sulmin e 24 shtatorit në veri, ndërsa pritet së shpejti edhe miratimi i një rezolute. Debati u iniciua nga socialdemokratët, grupit të dytë me i madh në Parlamentin Evropian.

“Ne dënojmë agresionin e fundit të një bande të armatosur terroriste kundër policëve të Kosovës. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në njoftimin e socialdemokratëve evropian.

Eurodeputetët pritet të reflektojnë në rezolutë edhe pikëpamjet e tyre për rolin e ndërmjetësuesve evropian. Debati për sulmin do zhvillohet sonte në mbrëmje ndërsa rezoluta pritet të miratohen në seancën e dytë plenare, në gjysmën e dytë të tetorit.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.

Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit. Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.

Sulmi në veri ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiçi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.

Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi. Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë.