Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të hënën se të gjithë ata që morën pjesë në sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë në veri të Kosovës “do të japin llogari para institucioneve të Serbisë”.
Në një intervistë për televizion amerikan CNN, Vuçiçi theksoi se këtu përfshihet edhe përgjegjësia e Millan Radoiçiçit, njërit prej liderëve kryesorë të serbëve të Kosovës, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit.
“Serbia, natyrisht, do t’i vërë para përgjegjësisë të gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Ai (Millan Radoiçiçi) është në territorin e Serbisë dhe prokuroria do ta bëjë punën e saj”, tha Vuçiç.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.