Marko Štucin, sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane, të Drejtën Ndërkombëtare dhe Mbrojtjen e Interesave e sheh aktulisht proçesin e zgjerimit të BE-së të një rëndësie të veçantë për shkak të rrethanave rajonale dhe europiane.
Zv/ministri solloven shprehet për gazetën “Panorama” se “nuk mund të lejojmë lënien pas të evropianëve tanë”. Përmes kësaj interviste z. Štucin garanton se deri në fund të vitit do të merren vendime strategjike dhe afatgjata për të ardhmen e BE-së në lidhje me zgjerimin e saj. Sipas tij ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në historinë e kontinentit evropian.
Štucin shprehet se vendimet dhe veprimet që do të ndërmarrim tani do të kenë pasoja të mëdha. Marko Štucin garanton se Sllovenia mbështet fuqishëm të gjithë mekanizmat dhe iniciativat, të cilat do ta afronin rajonin e Ballkanit Perëndimor me BE-në. “Ne Inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë punën për reformat dhe zbatimin e tyre”, shprehet z. Marko Štucin.
Z.Štucin, viti 2030 është përmendur si një inkujarim që BE-ja dhe Ballkani Perëndimor të jenë gati për zgjerim. Si e shihni perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor?
Deri në fund të vitit do të merren vendime strategjike dhe afatgjata për të ardhmen e BEsë në lidhje me zgjerimin e saj. Zgjerimi i BE-së ka pasur gjithmonë një dimension gjeostrategjik, i cili është më i rëndësishëm se kurrë në rrethanat aktuale historike. Siç tha dhe Presidentja, von der Leyen, në fjalimin e këtij viti rreth situatës së Bashkimit Evropian: “Evropa po i përgjigjet thirrjes së historisë dhe historia tani po na thërret të punojmë për plotësimin e Bashkimit tonë. Në një botë ku disa po përpiqen të zgjedhin vendet një nga një, ne nuk mund të lejojmë lënien pas të evropianëve tanë”.
Jemi në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm në historinë e kontinentit evropian. Vendimet dhe veprimet që do të ndërmarrim tani do të kenë pasoja të mëdha. Agresioni rus ndaj Ukrainës do të thotë që BEja duhet të ndalojë qasjen e zakonshme kur merret me zgjerimin. Nuk ka asgjë të zakonshme në normat, vlerat dhe standardet tona që janë nën kërcënim. Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës. Ai duhet të bëhet jo vetëm pjesë gjeografike e Evropës, por edhe një rajon, i cili, si pjesë e BE-së, respekton të njëjtat standarde, norma dhe vlera, të cilat janë sulmuar vitet e fundit. Këshilli Evropian i qershorit 2022 ka njohur rëndësinë e afrimit të Ballkanit Perëndimor me BEnë edhe përmes integrimit të përshpejtuar dhe gradual. Ky është një pasqyrim i domosdoshmërisë së qartë strategjike për ne – BE – për të përcaktuar identitetin tonë gjeopolitik në kohën e krizës më të madhe të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në fund të muajit gusht, Sllovenia organizoi Forumin Strategjik të Bled-it (BSF). Edhe pse këtë vit diskutimet dukshëm tejkaluan vëmendjen rajonale dhe patën një shtrirje globale, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor brenda BE-së tërhoqi të gjithë vëmendjen. Ideja e paraqitur nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, se BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë gati për zgjerim deri në vitin 2030, bëri jehonë të madhe.
I ashtuquajturi “Zotimi i Bledit” nuk ia ftohu zemrën askujt, por i la të gjithë me një pikëpyetje nëse të dyja palët mund të ishin vërtet gati për zgjerimin deri në atë datë. Përgjigja jonë është se duhet të punojmë për të gjetur vullnet të mjaftueshëm politik për reforma dhe vullnet politik në BE për zgjerim. Mundësia është këtu dhe duhet ta shfrytëzojmë me shpejtësi të plotë. Ne duhet ta kompletojmë Bashkimin Evropian, por edhe ta përgatisim atë për këtë objektiv të qartë deri në vitin 2030.
Në muajt e ardhshëm, liderët politikë do të duhet të tregojnë vullnetin dhe vendosmërinë politike për të konsideruar reformën thelbësore të brendshme të BE-së. Raporti i sapo paraqitur nga grupi i ekspertëve franko-gjermanë do të jetë një pikënisje e mirë për reflektim, si dhe rishikimet e paralajmëruara të Komisionit të politikave të para anëtarësimit të BE-së.
Unë besoj se reformat e brendshme të BE-së duhet të ecin paralelisht me procesin e zgjerimit të BE-së. Në veçanti, zgjerimet e mëtejshme nuk duhet të presin për ndryshime në Traktatet themeluese. Sllovenia mbështet fuqishëm të gjithë mekanizmat dhe iniciativat, të cilat do ta afronin rajonin e Ballkanit Perëndimor me BE-në. Avancimi i integrimit të përshpejtuar dhe gradual në politikat e BE-së, duke përfshirë tregun e brendshëm, do ta çonte me të vërtetë politikën e zgjerimit të BE-së përpara.
Ne kemi nevojë për një angazhim të qartë nga qeveritë e rajonit për zbatimin e reformave politike, social-ekonomike, gjyqësore dhe të tjera. Sfidat e përbashkëta duhet të adresohen bashkërisht në dobi të të gjithëve, ky ishte gjithashtu një mesazh i qartë nga Samiti i fundit i Procesit Brdo-Brijuni. Partnerët e Ballkanit Perëndimor gjithashtu duhet të bëjnë më shumë për të adresuar në mënyrë konstruktive çështjet rajonale siç është normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Njoftimi i fundit i Planit të Rritjes dhe Prosperitetit me katër shtylla për Ballkanin Perëndimor nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në Forumin GLOBSEC 2023 të Bratislavës në maj 2023 përfshin gjithashtu rritjen e fondeve të paraanëtarësimit. Si e sheh Sllovenia propozimin për financim shtesë?
Qëllimi i financimit shtesë është të përshpejtojë rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së dhe t’i ndihmojë ato që gradualisht të marrin përsipër detyrimet e anëtarësimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të arrijnë hapin e BE-së në drejtim të zhvillimit social-ekonomik.
Për të gjitha vendet që janë anëtarësuar në BE gjatë dy dekadave të fundit, qasja në Tregun e Vetëm ka qenë një shtysë kryesore e rritjes ekonomike. Për vendet e Ballkanit Perëndimor (dhe qytetarët e tyre), aksesi në tregun e vetëm nënkupton edhe përfitime të caktuara përpara se të bëhen anëtarë të BE-së. Ne kemi nevojë për një udhërrëfyes të qartë për të arritur këtë qëllim – dhe kjo është ajo me të cilën ka të bëjë Plani i Rritjes dhe Prosperitetit.
Ai do të përshpejtojë politikën e zgjerimit të BE-së dhe do të krijojë stimuj më të fortë për qeveritë në rajon që të vazhdojnë me reformat. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim nismën e KE-së dhe besojmë se ajo duhet të financohet në përputhje me rrethanat.
Cilat janë rezultatet e procesit të Berlinit, a është ende një nismë e duhur?
Procesi i Berlinit është një platformë për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve pjesëmarrëse të BE-së dhe institucioneve të BE-së. Ai përfshin rininë, biznesin dhe shoqërinë civile të rajonit. Filloi në vitin 2014 kur BE-ja po përballej me sfida të shumta dhe procesi i zgjerimit u pezullua.
Procesi i Berlinit plotëson Procesin e Stabilizim-Asociimit duke u përqendruar në rajonin në tërësi. Ideja është të shfrytëzohet potenciali i rritjes së bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor për të nxitur projekte specifike për të rritur lidhjen në rajon, si dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe marrëdhëniet ndërpersonale, duke mbështetur më pas integrimin në BE.
Takimet vjetore të Procesit të Berlinit dhe takimet e shumta të ministrave të punëve të brendshme, ekonomisë dhe punëve të jashtme intensifikuan ndërveprimin midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në nivel të lartë politik. Për më tepër, këto takime më pas e mbajtën Ballkanin Perëndimor në axhendën e shteteve dhe institucioneve të BE-së. Procesi i Berlinit përforcoi rëndësinë e nismës BP6 (ËB6).
Në këtë kontekst, Procesi i Berlinit ka ndikuar pozitivisht edhe në bashkëpunimin ndërqeveritar në rajon, me një rritje të ndjeshme të kontakteve ndërmjet vendeve të rajonit në të gjitha nivelet. Procesi i Berlinit kontribuoi gjithashtu në afrimin e rajonit me BE-në dhe ruajti ndikimin transformues të Bashkimit në rajon përmes zbatimit të “masave të buta”, të nevojshme për të përmirësuar lidhjen dhe për të mundësuar investime në infrastrukturë.
Në fushën e transportit dhe lidhjeve energjitike vendet e BP6 kanë nënshkruar disa protokolle dhe memorandume. Më në fund, procesi rezultoi në krijimin e projekteve të shumta konkrete. Dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e krijimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili është i strukturuar rreth katër lirive (lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve) duke mbuluar gjithashtu aspekte të politikave dixhitale, investimeve, inovacionit dhe industrisë. Kjo e bën atë përpjekjen më ambicioze të integrimit rajonal deri më tani në Ballkanin Perëndimor.
Tregu i Përbashkët Rajonal është gjithashtu një hap për tregun e brendshëm të BE-së. Integrimi ekonomik rajonal i bazuar në rregullat e BE-së dhe përafrim më të ngushtë me tregun e vetëm të BE-së do të ndihmojë Ballkanin Perëndimor në procesin e anëtarësimit. Në të njëjtën kohë, procesi i anëtarësimit do të ndihmojë në forcimin e integrimit ndërrajonal.
Një shembull tjetër konkret është krijimi i Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor – RYCO, me sekretariatin e saj në Tiranë. Suksesi i vërtetë i RYCO-s do të varet përfundimisht nga aftësia e tij për të siguruar lëvizshmërinë e të rinjve në rajon përtej rrymave etnike dhe nga numri i të rinjve që marrin pjesë në projekte. Më lejoni të përfundoj duke thënë se Sllovenia do të vazhdojë të marrë pjesë dhe të mbështesë aktivitetet në kuadër të Procesit të Berlinit, pasi ato mbështesin një nga prioritetet tona të politikës së jashtme – integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Si e shihni perspektivën e Shqipërisë drejt BE-së?
Ne njohim hapa të rëndësishëm të Shqipërisë në rrugën e saj evropiane gjatë viteve të fundit. Fillimi i negociatave për anëtarësimin e plotë në BE është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë. Ne presim që procesi të vazhdojë me thirrjen e konferencës së dytë ndërqeveritare ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Rruga drejt qëllimit përfundimtar do të jetë sigurisht sfiduese, por ne besojmë se është e arritshme deri në vitin 2030. Ne inkurajojmë Shqipërinë të vazhdojë punën për reformat dhe zbatimin e tyre.
Zbatimi i plotë i reformave është ende thelbësor. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme në reformën e administratës publike dhe sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ne e mirëpresim veçanërisht ecurinë e reformës në drejtësi. Janë krijuar të gjitha institucionet e parashikuara nga reforma, e cila filloi në vitin 2015.
Ne përgëzojmë gjithashtu përafrimin 100% të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët, të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian (CFSP). Kjo është një shprehje e fortë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për komunitetin tonë të vlerave. Ajo e ka bërë vendin një partner të besueshëm të sigurisë. Një vlerësim më i detajuar dhe aktual i progresit të Shqipërisë do të jetë i mundur në vjeshtë kur Komisioni Evropian të nxjerrë një raport të ri progresi.
Cili është vlerësimi juaj për marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Sllovenisë?
Marrëdhëniet mes vendeve tona janë miqësore, pa çështje të hapura. Jemi të kënaqur që Presidenti i Shqipërisë, z. Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Slloveni, në muajin korrik. Bashkëpunimi mes dy vendeve është i mirë në shumë fusha, por besojmë se ka shumë mundësi për angazhim të mëtejshëm, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Në këtë drejtim, ne jemi vërtet të kënaqur që së fundmi z. Likoskëndaj u emërua si konsull i ri nderi i Sllovenisë në Durrës.
Jemi të bindur që ky hap do të intensifikojë më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve tona. Sllovenia është e pranishme dhe e angazhuar në Shqipëri nëpërmjet asistencës zyrtare për zhvillim dhe projekteve të shumta që rrjedhin nga ky kuadër dhe do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë gjatë procesit të saj të integrimit në BE, veçanërisht duke zbatuar projektet e asistencës teknike dypalëshe, që synojnë forcimin e qeverisjes së mirë.
Ekspertët sllovenë janë gjithashtu të pranishëm në instrumentin TAIEX, të financuar nga Komisioni Evropian dhe që synon të mbështesë administratën publike në lidhje me përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së. Organizata joqeveritare sllovene “Forumi për Zhvillim të Drejtë”, “Qendra e Perspektivës Evro- piane” (CEP) dhe “Qendra e Ekselencës në Financë” janë nga institucionet më të rëndësishme që zbatojnë projekte sllovene në Shqipëri. Për më tepër, një nga fushat e bashkëpunimit midis vendeve tona që e mirëpres veçanërisht është industria e drurit.
Klasteri i industrisë së drurit shqiptar dhe ai slloven kanë bashkëpunuar në një projekt zhvillimi të zbatuar nga UNIDO: “Nxitja e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin shqiptar të drurit”. Qëllimi i këtij partneriteti është të promovojë shkëmbimin e njohurive dhe bashkëpunimin e biznesit. Së fundmi, jemi veçanërisht të kënaqur që projekti për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit u realizua. Sllovenia dhuroi një shkollë modulare në fshatin Noje të Bashkisë së Krujës. Shkolla hapi dyert për 50 nxënës vitin e kaluar./Panorama