Zvërneci është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, që po vizitohet shumë nga vendas e të huaj.
Të favorizuar edhe nga temperaturat e larta, qytetarë të shumtë kanë zgjedhur të vizitojnë manastirin edhe këtë fundtetor.
Turistë nga Franca e Gjermania tregojnë se e vizitojnë për herë të parë Zvërnecin.
“Erdhëm të vizitonim Vlorën, më pas erdhëm këtu të shikojmë Manastirin dhe do ikim ne Sarande. U bënë 2 javë në Shqipëri, vij nga Franca, për herë të parë. Me pëlqeu shumë ky qytet dhe më pëlqeu shume Shqipëria”, tha një turist nga Franca.
“Është hera e parë këtu në Shqipëri. Zvërneci është vend shumë i bukur, njerëzit janë shumë të mirë, pamja është perfekte. Jam shumë e lumtur”, tha një turiste nga Gjermania.
Edhe qytetar nga Shqipëria, kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në Zvërnec.
“Kam ardhur një herë kur isha gocë e vogël, dhe u ktheva sot pas 50 vitesh. Ka ndryshuar shumë, është shumë bukur”, pohon një zonjë.
Një tjetër vizitor i Manastirit në Zvërnec, përveç destinacionit të bukur, ngre shqetësimin e mungesës së ciceronit.
“Ndjehet shumë mungesa e ciceronit nëpër objektet muzeale ose në objektet kulturore. Është e domosdoshme, pavarësisht kulturës individuale është e domosdoshme kultura shpjeguese”.
Turistët që vizitojnë Zvërnecin vlerësojnë përveç bukurisë së Manastirit, edhe gastronominë e pasur me shijen autentike të kuzhinës së zonës.