Deputeti i PS Erion Braçe i ftuar në emisionin “Kontrast” në Report TV ka deklaruar se roli i Sali Berishës në aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani, me procedurat e kryera dhe abuzimet që ish kryeministri dhe qeveria e tij bënë për të favorizuar Jamarbër Malltezin, tregon se ka shkelur shtetin me këmbë.
Sipas Braçes Prokuroria nuk ka goditur individin me këtë hetim siç pretendon Berisha, por kapjen e shtetit. Teksa e quan aferën e privatizimit të ish-kompleksit Braçe kapjen më të madhe të shtetit që mund të ketë ndodhur ndonjëherë pas Gërdecit, një provë të fortë kundër Berishës nënvizoi ndryshimin e disa ligjeve në një hark kohor brenda dy vitesh.
“Bujar Leskaj ka qenë kundër kthimit të pronës. Dashnor Sula është i njëjti deputet që ka mbajtur qëndrim për ligjin e sportit , ka thënë jam kundër. Këta më habisin me qëndrimin e sotëm. Ka akoma hije të zeza te kjo dosja e kësaj lagjeje.
Po ta shohësh procesverbalin, unë dhe Majko e kemi pyetur disa herë Berishën dhe refuzonte të na përgjigjej. Ore e mori pronari por çfarë do të ndodhë me truallin? S’na u përgjigj. E kam pyetur disa herë. Ishte i vetëdijshëm për atë që do ndodhte…Prokuroria nuk ka goditur individ me këtë hetim por kapjen e shtetit”.
Ndryshimi i ligjeve për sportin në favor të dhëndrit të Berishës, menjëherë sapo erdhi në pushtet në vitin 2005 për Braçen është prova më e fortë që SPAK ka kundër tij.
“Ka pasur shume akuza për inceneratorët, janë thënë dhe të pavërteta. Por të ndryshosh 7-8 ligje në harkun e dy viteve është kapja më e madhe e shtetit që mund të ketë ndodhur ndonjëherë pas Gërdecit. Ta ndryshosh ligjin e sportit sa vjen në pushtet një vit pasi vjen në pushtet dhe po përsëri pas dy vitesh… Kjo tregon se roli i këtij njeriu në këtë aferë e ka shkelur shtetin me këmbë në favor të interesave të veta personale”, tha ai.
Braçe komentoi edhe kaosin që krijoi grupi i Rithemelimit në Parlament, duke thënë se Berisha ka nxjerrë potencialin e tij destabilizues për të shantazhuar prokurorët e SPAK. Nuk la pa bërë një koment edhe për sjelljen e paqëndrueshme politike të deputetit Gament Bardhi, për të cilin tha se dikur negocionte në Kuvend për të mos i dhënë hapësirë Sali Berishës, ndërsa sot bën të kundërtën.
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin ka marrë nën hetim ish-kryeministrin Sali Berisha i akuzuar për “korrupsion pasiv” në aferën e privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani” dhe GJKKO ka caktuar për të masën “detyrim paraqitje” si dhe i ka ndaluar ndaljen jashtë vendit. Sipas SPAK, Berisha ka përdorur pushtetin në dispozicion të përfitimeve direkte të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Për dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezi, përfituesi direkt nga privatizimi i truallit të “Partizanit” ku sot janë ngritur 19 kulla, GJKKO ka vendosur lënien e tij në “arrest me burg” me dy akuza, “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”.