Ish-kryeministri Sali Berisha shkoi këtë të martë në Kryesinë e Kuvendit. Në hyrje, ai dha një deklaratë për gazetarët e pranishëm aty.
Kryedemokrati iu përgjigj pyetjeve pas deklaratave të deputetit Agron Shehaj mbrëmë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan se është tërhequr nga PD pasi nuk është dakord me vendimet që janë marrë.
Berisha tha se Shehaj është deputet që ka mendim si çdo njeri tjetër dhe që ai respekton. Para gazetarëve pranoi se ka folur me Shehajn dhe i ka pohuar kontributet e tij.
“Deputeti Agron Shehaj është një deputet si çdo tjetër, ka gjykimin e tij. Në këtë aspekt respektoj mendimin e çdo njeriu, çdo deputeti.
Unë kam folur, i kam thënë përveç kësaj që thashë, që respektoj vendimin e çdo njeriu, i kam thënë në mënyrën më miqësore që ke kontribute të pamohueshme dhe kontributet tuaja më shumë se këtu nuk marrin peshë ndonjë zgjidhje tjetër”, tha ai.
Pyetjes nëse i frikësohet krijimit të një partie të re nga Shehaj, Berisha u përgjigj kështu: Nuk mund të frikësohem unë. Njeriu që nuk frikëson të tjerët nuk frikësohet vetë, mësoje këtë nga unë. Po qe se nuk synon kurrë të frikësosh njeri, nuk frikësohesh kurrë.