Në projektbuxhetin 2024 është parashikuar që një fond prej 2.2 mld lekë do të shkojë për bonusin e bebes. Kryeministri Edi Rama thotë se do ta vijojnë këtë mbështetje për familjes.

Ndalur në shifra, kreu i qeverisë thotë se që nga muaji janar i këtij viti nga bonusi i bebes kanë përfituar mbi 36 mijë familje.

“Mbi 36 mijë familje kanë përfituar bonusin për të porsalindurit që nga 1 Janari i këtij viti! Edhe në buxhetin e vitit 2024, qeveria shqiptare do të vijojë të financojë Programin e Bonusit të Bebes, me një fond prej 2.2 miliardë lekë, duke mbështetur familjet që në hapat e parë të saj”, shkruan Rama.

Bonusi i bebes është një ndihmë që jepet nga janari i viti 2019 për të gjitha familjet që bëhen me fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik. Bonusi përfitohet menjëherë nëse prindërit e regjistrojnë të porsalindurin në zyrën e posaçme të hapur në çdo maternitet në vend dhe përfitohet në dy pjesë nëse prindërit zgjedhin ta regjistrojnë fëmijën e tyre më vonë.

Për fëmijët që lindin në spitale private, apo jashtë vendit, çeku i bebes lëshohet nga Ministria e Shëndetësisë pas regjistrimit të të porsalindurit në zyrat e gjendjes civile. Prindërve u jepet një çek 40,000 lek për fëmijën e parë 80,000 lek për fëmijën e dytë; 120,000 lek për fëmijën e tretë e më tej.