Avokati Idajet Beqiri komentoi lojërat dhe talljen që bën Sali Berisha me shtetin, duke mos u paraqitur në gjykatë, sipas masës së sigurisë të caktuar nga Gjykata e Posaçme për dosjen hetimore për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.
Ai thotë se është e turpshme kur shikon se si një ish-drejtues i lartë i shtetit nuk respekton kushtetutën dhe as ligjet në vend.
“Shqiptarët po shikojnë se si një ish-president dhe një ish-kryeministër se kur vjen problem për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet, e ul veten me keq se një kriminel ordiner, i cili në fund të fundit mund të ketë bërë një krim dhe një vjedhje dhe kur flet gjykata, e kanë këtë përgjegjësi sa të shkojnë. Ky ka kaluar çdo lloj limiti njerëzor dhe lëre pastaj atë institucional dhe të mendosh se kë kemi patur kryeministër”, tha ai në ABC News.
Sipas avokatit, Sali Berisha është bërë qesharak duke u fshehur si “struci” gjatë kohës kur oficerët e policisë gjyqësore kanë shkuar për ta njohur me masën e sigurisë, të shqiptuar nga Gjykata e Posaçme.
Ai thotë se në rast se Berisha nuk shkon në gjykatë më 20 nëntor, atëherë me shumë gjasë pritet t’i ndryshohet sërish masa e sigurisë dhe SPAK mund t’i drejtohet me kërkesë pastaj Parlamentit për t’i hequr imunitetin mbrojtës dhe për ta vënë ish-kryeministrin plotësisht në dorë të drejtësisë.
“Ai bëhet qesharak. Kur shkojnë oficerët e policisë ai fshihet në tualet dhe nuk ka gjë më të shëmtuar se si u katandis ky vend dhe e bën si puna e strucit. Ai do të përfundojë shumë keq.
Me sa shoh edhe SPAK konsultohet me dikë, në kuptimin ligjor të fjalës dhe në kuptimin e asaj që qeveria e zë lepurin me qerre dhe në këtë aspekt ata po e zhveshin lakuriq për të marrë vesh shqiptarët, por edhe ata që e mbështesin dhe janë fanatikë të tij dhe që forca e tij të vijë deri sa të mbetet vetëm dhe drejt asaj rruge po shkon.
Nëse në 20 nëntor nuk do të shkojë, oficeri i policisë gjyqësore do t’i bëjë një kërkesë prokurorëve dhe do t’i thotë t’i bëhen zëvendësimi i masë së sigurimit dhe SPAK do të formulohet ndryshe, ose arrest në shtëpi ose në arrest me burg”, tha ai.